LSM: Punëtorët, protestë për të drejtat

Punëtorët në protestë për të drejtat
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot do të mbajë një protestë publike, për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Protesta gjenerale me moton "Ta mbrojmë punën" do të filloj në ora 19:00 në sheshin Pella në Shkup.
Sindikata vlerësoi se ka ndërmarrë këtë hap për shkak të mosfunksionimit të dialogut social, ndryshimet e fundit të Ligjit për marrëdhënie pune, standartit të ulët jetësor të punëtorëve dhe mospërcaktimit të rrogës minimale. Nga LSM theksojnë se kërkesat bazë të punëtorëve të pakënaqur janë:miratimi i ligjit për heqjen ndryshimeve të ligjit për marrëdhënie pune, me të cilin shkurtohen të drejtat e punëtorit, krijimin e mundësisë për mundësi të ndryshme të pensionimit, sjelljen e Ligjit për përcaktimin e rrogës minimale. Nga LSM-ja kërkojnë me ligj konfirmimin e pagës minimale, ruajtjen e standardit jetësor të punonjësve me ndërmarrjen e masave përkatëse për shkatërrimin e dukurive të rritjes së çmimeve të prodhimeve themelore ushqimore, si dhe miratim të ligjit me të cilin materialisht do të sigurohen të gjithë punonjësit e falimentuar dhe punonjësve të shpallur si tepricë teknologjike me mbi 25 vjet stazh pune.
Në një konferencë për media kreu i LSM-së, Vanço ka theksuar se protestat do të vazhdojnë deri sa Qeveria e Maqedonisë të përmbush kërkesat e parashtruara. Ai tha se pret masovitet në protestë dhe ai të ketë efekte në kuptimin, siç theksoi, Qeveria të kthehet drejt LSM-së dhe me të të bisedojë si me partner social. Në qoftë se protesta nuk ka efekte, Muratovski theksoi se do të organizojë grevë të përgjithshme.
"Shpresoj se deri aty nuk do të vijë dhe se Qeveria do të ketë vesh t'i dëgjojë kërkesat tona", tha Muratovski. Ndërkohë pritet që protestës ti bashkangjiten edhe anëtarët e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), parti më e madhe opozitare në Maqedoni. LSDM të enjten nëpërmjet kryetarit të saj, Zoran Zaev i bëri thirrje anëtarëve të partisë së tij që t'i bashkangjiten grevës së përgjithshme të punëtorëve, për shkak se sipas tij ligji për marrëdhënie pune drejtpërdrejt i shkelë të drejtat e punëtorëve në Maqedoni. Ai gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë që të ndërpres presionet ndaj administratës lokale dhe shtetërore.