La Liga Reali fitoi 2-1 ne fushen e Atletikos

E nisi keq derbin, por në fund ia arriti që ta fitonte. Pavarësisht nga goli i shpejtë i Radamel Falkaos, sërish ishte Reali që triumfoi në “Visente Kalderon” dhe jo Atletiko vendase e Madridit.
Edhe pse pa Kristiano Ronaldon në fushë, skuadra e Murinjos barazoi menjëherë falë autogolit të Huanfranit.
Reali la pushim edhe Mesut Ozilin, Koentraon dhe pjesërisht Alonson e Modriçin, por ia doli të fitonte duelin e kryeqytetit të Spanjës, falë golit shënuar nga Di Maria, që hyri si zëvendësues.
Dy orë para derbit, Barcelona vetëm barazoi 2-2 në fushën e Atletikut të Bilbaos. Katalanasit pësuan gol në pjesën e parë, por në të dytën Lionel Mesi shënoi dhe vendosi një rekord, pasi ky ishte goli i 24-ët i tij jashtë fushe këtë kampionat, duke tejkaluar rekordin e Kristiano Ronaldos.
Aleksis Sançez kaloi Barçën në epërsi, ndërsa synohej rekordi i pikëve në një kampionat.
Veçse, në fund, Herrera shtangu kampionët e ardhshëm dhe i dha një pikë krenarie skuadrës baske.