Laakso: Kriza rrezikon të acarohet.
Flet bashkëraporteri për Shqipërinë: Do të bëjmë edhe disa propozime konkrete, për të cilat nuk mund të jap më shumë hollësi
Delegacioni ndërmjetësues i Këshillit të Europës mbërrin më 22 shkurt në Tiranë Delegacioni i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës do të mbërrijë në Tiranë më 22 shkurt. Lajmin e bëri të ditur dje njëri prej bashkëraportuesve për Shqipërinë, Jaakko Laakso. Në një intervistë për “BBC” ai analizon situatën politike në Shqipëri.
Cili është misioni konkret i vizitës së delegacionit tuaj?
Misioni ynë ka të bëjë me krizën politike në Shqipëri. Ne po përpiqemi të japim ndihmesën tonë për të inkurajuar fillimin e dialogut politik midis palëve kryesore, si dhe për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me çështjen e bojkotimit të Parlamentit. çdo deputet që është zgjedhur, mund dhe duhet të japë kontributin e tij në Parlament.
Si mendoni se mund të ndodhë kjo? Ju po thoni se thjesht do të ofroni ndihmë që palët të arrijnë një zgjidhje, por kjo krizë vazhdon prej disa muajsh dhe palët nuk kanë treguar ndonjë shenjë se janë pranë kësaj zgjidhjeje.
Po, kriza politike po vazhdon dhe ne jemi të shqetësuar se kjo krizë politike mund të acarohet. Objektivi ynë kryesor është që, para së gjithash, të parandalojmë acarimin e situatës dhe, siç e përmenda, të ndihmojmë për fillimin e një dialogu politik mes forcave politike. Ne kryesisht po mbështesim përpjekjet e Presidentit Topi. Ne mendojmë se ai është ndërmjetësi kryesor dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta mbështesin Presidentin. Ne mendojmë se do të jetë e nevojshme që të takohemi me përfaqësuesit e partive politike, jo thjesht që ata të kenë mundësinë të na sqarojnë se ku qëndron problemi dhe se çfarë idesh kanë për të gjetur një zgjidhje, por mendoj gjithashtu se duhet të kemi edhe një takim të përbashkët me të gjitha forcat kryesore politike.
Ju keni bërë thirrje që palët të dialogojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë krizë. çfarë përgjegjësie ka secila palë për situatën e krijuar?
Ne nuk po shtrojmë çështjen e përgjegjësive. Prej disa muajsh në Shqipëri po flitet shumë se kush është përgjegjësi dhe kush jo. Detyra jonë është që të ndihmojmë në gjetjen e një zgjidhjeje. Për këtë do të bëjmë edhe disa propozime konkrete, për të cilat nuk mund të jap më shumë hollësi për momentin. Siç e dini, Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës bëri disa propozime që lidhen me vizitën tonë në Tiranë. Ky nuk është një mision faktmbledhës, pasi ne i dimë faktet. Ideja është që të ndryshojmë realitetin në terren dhe të fillojë dialogu mes partive politike.
Thatë se do të takoheni me përfaqësues të forcave kryesore politike dhe se do të keni disa propozime. A do të ushtroni ndonjë presion që ata t'i pranojnë propozimet tuaja?
Ne nuk e përdorim termin “presion”. çështja është se ne të paktën shpresojmë që të gjitha partitë mendojnë se Këshilli i Europës ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në të ardhme. Ky rol pranohet nga të gjitha palët. Ne nuk po mbajmë asnjë anë në konfliktin në Shqipëri. Ne mendojmë se është absolutisht e nevojshme, që bojkoti i Parlamentit të përfundojë në mënyrë që Parlamenti të funksionojë normalisht. Por çështja shtrohet se si mund të arrijmë deri këtu. Ky është problemi kryesor që do të kemi gjatë kësaj vizite.
Sa e vështirëson misionin ndërmjetësues të Presidentit, me mbështetjen tuaj dhe të aktorëve të tjerë ndërkombëtare, retorika e ashpër dhe gjuha e përdorur nga lojtarët dhe forcat kryesore politike, pikërisht ata që duhet të zgjidhin krizën?
Më duhet të them se fyerjet që i gjen në skenën politike shqiptare, nuk i kam dëgjuar në asnjë vend tjetër europian. Mua më takon të udhëtoj në vende të ndryshme gjatë gjithë kohës, por nuk dëgjoj kurrë gjuhën apo fyerje të tilla si ato që i dëgjojmë në Shqipëri. Ne duhet ta ndalojmë përdorimin e këtij fjalori. Këtu e kam fjalën për të gjitha palët dhe jo thjesht për individë të caktuar. Le të flasim për politikën, jo të futemi nëpër rrugë dytësore dhe të merremi me fyerjet.
#