E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamert: Mbështes përpjekjet për mbylljen e krizës

Kreu i Bundestagut gjerman

Presidenti i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert, ka sjellë dje në Tiranë mesazhin e Kancelares Angela Merkel, për të zgjidhur krizën politike dhe për të normalizuar situatën. Kreu i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Gjermanisë, kristiandemokrati Lamert, ka thirrur Kryeministrin Berisha dhe homologen e tij Topalli, në katin e 11 të një ndërtese të papërfunduar te “Selvia” në qendër të Tiranës për të lëshuar një mesazh të rëndësishëm politik, ku bëri thirrje për dhënien fund të bojkotit politik, por edhe për të kërkuar zbatimin e kushteve të kërkuara nga BE-ja për funksionimin e demokracisë. “Duhet të krijohen parakushtet për integrimin në Bashkimin Europian, ka deklaruar kreu i Bundestagut, i cili ka përmendur përvojën e zhgënjimit të Perëndimit ndaj disa vendeve që janë pranuar automatikisht në Europë”. Edhe pse ka shprehur kundërshtimin e tij për bojkotin e Parlamentit, të cilin e ka quajtur një ide jo të mirë, Lamert ka bërë të ditur se mbështet fuqishëm çdo përpjekje që do të normalizonte situatën politike aktuale. Më pas, kryetari i Parlamentit gjerman është ndalur veç me Kryeministrin Berisha, ku kanë biseduar për një kohë të gjatë. Në bisedë më pas është afruar edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Bortschard, si edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Burime diplomatike bëjnë të ditur se Lamert ka sjellë një mesazh nga Kancelaria Merkel për Kryeministrin Berisha. Takimet janë zhvilluar në zyrat e fondacionit “Kontrad Adenauer”, i cili ka inauguruar dje rinisjen e punës së tij në Shqipëri. Ky fondacion politik, i cili është pranë Unionit Kristian Demokrat të Kancelares Angela Merkel, është praktikisht më i fuqishmi në Europë, që ka zgjeruar ndikimin e tij në të gjitha anët e botës. “Konrad Adenauer” kthehet në Shqipëri pas punës së tij në vitet 1992-1996.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›