E Diel, 1 Nëntor 2026

Laakso: Mbështetje Topit për zgjidhjen e krizës në Shqipëri

Këshilli i Evropës do t'i ofrojë mbështetje në përpjekjet dhe rolin ndërmjetësues të presidentit Bamir Topi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Kështu ka dekalruar raporteri për Shqipërinë, Jaakko Laakso, në një intervistë për BBC-në duke shtuar se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i parlamentit të përfundojë.
"Kriza politike po vazhdon dhe ne jemi të shqetësuar se kjo krizë politike mund të acarohet. Objektivi ynë kryesor është që, para së gjithash, të parandalojmë acarimin e situatës dhe të ndihmojmë për fillimin e një dialogu politik mes forcave politike. Ne kryesisht po mbështesim përpjekjet e presidentit Topi. Ne mendojmë se ai është ndërmjetësi kryesor dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta mbështesin presidentin" theksoi Laakso.
Më tej raporteri për Shqipërinë Laakso theksoi se KiE-ja mendon se do të jetë e nevojshme që të ketë takime me përfaqësuesit e partive politike.
"Takimet do të jenë jo thjesht që ata të kenë mundësinë të na sqarojnë se ku qëndron problemi dhe se çfarë idesh kanë për të gjetur një zgjidhje, por mendoj gjithashtu se duhet të kemi edhe një takim të përbashkët me të gjitha forcat kryesore politike" shtoi Laakso.
Ai gjithashtu shtoi se gjetja e rrugës për të arritur deri këtu, do të jetë sfida kryesore gjatë vizitës që një delegacion i Këshillit të Evropës do të bëjë në Tiranë më 22 shkurt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›