E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laboratori i policisë, droga e Shkodrës është miell picash

Policia arrestoi shtetasen italiane për 3 kg heroinë por analizat treguan të kundërtën. Dyshime se gruaja ishte karremi

TIRANË- Operacioni i policisë për arrestimin e një boshnjakeje me shtetësi italiane me një sasi droge është shfryrë brenda pak orësh duke rezultuar në një dështim dhe gafë të policisë. Analizat e “drogës” së sekuestruar në pikë kalimin kufitar të Muriqanit treguan se është miell. Policia dyshonte se malli i sekuestruar ishte heroinë, por, në përfundim të analizave rezulton të jetë vetëm miell i paketuar në gjashtë qese 300 dhe 800 gram, që kap sasinë e tre kg. Kjo ka hedhur dyshimet se gruaja është përdorur si karrem për të mbajtur të zënë policinë teksa nga ana tjetër kalonte një sasi reale droge.

Analizat

“Nga analizat laboratorike të kryera ndaj mostrës së “drogës” së sekuestruar nga policia dhe e analizuar në Institutin e Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme ka rezultuar se sasia prej tre kg e dyshuar për heroinë nuk përmban as 0 % të lëndës narkotike. Në fakt kjo lëndë rezulton se është vetëm miell i pastër që shtetases italiane Mirjana Nisanoviç ia kishin dhënë për drogë”,- thuhet nga burimet zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme. Gjithashtu, mësohet se ekspertët e Ministrisë së Brendshme ia kanë dorëzuar prokurorisë së Krimeve të Rënda raportin përfundimtar të këtyre analizave, ku pasqyrohet në një mendje të tre ekspertëve që kjo sasi e sekuestruar në makinën e tipit “Volsvagen Golf” me targa italiane është miell picash. Dosjen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje po e heton prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Behar Dibra, i cili gjatë dy netëve të kaluara e ka gdhirë duke e marrë në pyetje shtetasen italiane e arrestuar sipas policisë me 3 kg drogë. Gjithashtu, mësohet se hetimet ndaj kësaj dosjeje janë përqendruar kryesisht tek bashkëpunëtorët e shtetases italiane Mirjana Nisanoviç, pasi dyshohet se në momentin kur policia shqiptare ka kryer gjetjen dhe sekuestrimin e “drogës” dhe arrestimin e shtetases italiane, nëpërmjet kësaj pike të kalimit kufitar të ketë kaluar një sasi më e madhe e lëndëve narkotike, duke shfrytëzuar shtetasen Nisanoviç si “kurban” për të kaluar sasitë e tjera në drejtim të Malit të Zi.

Historia

Sipas burimeve zyrtare pranë Policisë së Shtetit, u bë me dije se tre ditë më parë, konkretisht mëngjesin duke u gdhirë dita e diel, efektivëtblu të pikë kalimit kufitar të Muriqanit kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 3 kg pluhur i bardhë i dyshuar për heroinë. Sipas këtyre burimeve, ka qenë ora 02:00 pas mesnate kur makina e tipit “Volsvagen Golf” me targa italiane dhe drejtuese shtetasen Mirjana Nisanoviç me kombësi boshnjake ka hyrë në pikën e kontrollit duke tentuar të kalojë për në Mal të Zi. “Policia e Shkodrës, nga informacionet e marra kishte dijeni se në këtë makinë ndodhej një sasi droge që po tentohej të kalohej për në Mal të zi. Në bazë të këtyre informacione u krye kontrolli i imtësishëm i makinës, ku brenda saj në vende të ndryshme policia gjeti 6 qese me nga 300 dhe 800 gram të mbushur me pluhur të bardhë”,-thuhej nga burimet. Efektivët e policisë, duke u bazuar në ngjyrën e pluhurit dhe mënyrën e paketimit, nuk ngurruan ta trumbetojnë si aksion të madh të zbulimit të drogës, duke arrestuar kështu në flagrancë shtetasen italiane Mirjana Nisanoviç si dhe sekuestrimin e “drogës” miell që u gjet brenda makinës së saj. Sipas burimeve nga prokuroria e Krimeve të Rënda thuhet se po hetohen dhe verifikohen të gjithë ata persona që kanë kaluar në atë orë dhe pas arrestimit në këtë pikë kalimi kufitar, për të gjetur bashkëpunëtorët e saj. Ndërkohë, pritet që shtetasja Nisanoviç të lirohet nga arresti, pasi nuk përbën vepër penale paketimi dhe vendosja në qese të një sasie të konsiderueshme miell picash, që për policinë ishte drogë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›