Rrjeti i trafikut të pistoletave, 12 anëtarë në dy shtete
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh detaje nga operacioni rajonal i koduar “Alberta”, ku në bashkëpunim me policinë e Kosovës u arrestuan në total 12 persona dhe u sekuestruan 15 pistoleta “mini bloë”, 1620 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një sasi prej 500 gram tritol. Sipas burimeve zyrtare, operacioni për arrestimin e 12 shtetasve të dyshuar si pjesëtarë të një rrjeti të gjerë trafiku, që prej vitesh kryenin trafik të armëve dhe municioneve mes Kosovës dhe Shqipërisë, u krye në bashkëpunim mes dy institucioneve të policisë. “Me datë 13 gusht të këtij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bazë të të dhënave të ardhura nga Policia e Kosovës dhe ajo shqiptare ka regjistruar procedimin penal me nr. 71, për kryerjen e veprës penale të trafikut të armëve e municioneve në bashkëpunim. Ku, në bazë të këtyre të dhënave janë kryer veprime specifike të hetimit, duke i vendosur numrat e të dyshuarve në përgjim, duke angazhuar agjentë të veshur civilë për t’i vëzhguar, filmuar dhe fotografuar për llogari të këtij procedimi penal, për grumbullimin e provave të nevojshme në ngarkim të të dyshuarve”,- thuhet nga akuza.
Sipas këtyre burimeve, policia e Kosovës ka lajmëruar homologët e tyre në Tiranë, se mëngjesin e datës 20 shtator, shtetasit Adem Berisha dhe Ibush Hetemi kanë kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar me 15 pistoleta dhe 120 fishekë brenda makinës së tyre tip “Benz” me targa “409 KS 204”. Mësohet se gjatë gjithë rrugës kjo makinë është përcjellë nga agjentët, të cilët kanë evidentuar se në Fushë-Krujë dy kosovarët kanë marrë në makinën e tyre shtetasin Mustafa Gashi, i cili i kishte porositur pistoletat për shitje. Bashkë me Gashin dy kosovarët janë nisur në drejtim të qytetit të Beratit ku kishin për të dërguar dhe shitur 10 pistoletat e para. Aty tek vendi i quajtur “Ura e Kuçit” janë takuar me shtetasin Edmond Kajo të cilit i kanë shitur 10 pistoletat. Të gjitha këto veprime, agjentët i kanë përcjellë nga distanca, ku pas largimit të “shitësve”, Gashi, Berisha dhe Hetemi policia ka ndërhyrë në arrestimin e Edmond Kajos dhe Florenc Mezinit, të cilët po largoheshin me makinën tip “Benz” me targa Berati, ku brenda saj iu sekuestruan 10 pistoletat dhe një sasi fishekë. Sipas prokurorisë, në kthim nga Berati pasi kanë arritur në Vorë, në vendin e quajtur karburanti “Kastrati”, kosovarët Berisha e Hetemi dhe Gashi janë takuar me shtetasit Nertil Fejzullau dhe Marjus Buda. Mes tyre është kryer shitblerja e një sasie prej 5 copë pistoletash dhe një sasi fishekësh, ku pas kësaj shitblerjeje të pesë personat janë ndarë nga njëri tjetri. Pas ndarjes mes tyre, ka ndërhyrë policia dhe ka arrestuar në flagrancë në vendin e quajtur rreth rrotullimi i Vorës, shtetasit Mustafa Gashi, Nertil Fejzullahun dhe Adem Berishën e Ibush Hetemi, ndërsa makina që po transportonte pesë pistoletat e blera ka mundur t’i ikë policisë deri pranë doganës, ku pas një ndjekjeje të policisë u bë i mundur arrestimi i shtetasit Marjus Buda. Më, pas dy kosovarët janë dërguar në pikëkalimin kufitar të Kosovës ku janë dorëzuar policisë së Kosovës të cilët prej 3 muajsh po hetonte trafikun që ata kryenin.
ARRESTIMET NË SHQIPËRI:
Edmond Kajo
Florenc Mezini
Marjus Buda
Mustafa Gashi
Nertil Fejzullau
ARESTUAR NË KOSOVË:
Adem Berisha
Ibush Hetemi
Avni Berisha
Gani Mavriqi
Abdyrrahim Mavriqi
Rafet Llapashtica
Ibrahim Gashi