Laç/ Izolohet zjarri në masivin me pisha, vetëm një vatër ende aktive

Është izoluar zjarri në masivin me pisha në qytetin e Laçit, ndërsa aktualisht është vetëm një vatër aktive. Në informacionin e përditësuar mbi situatën, bëhet me dije se flakët po mbahen nën monitorim nga Forcat e Armatosura, zjarrfikësit, Policia e Shtetit dhe forcat bashkiake.
Nuk është përllogaritur ende sipërfaqja totale e djegur, ndërsa në operacionin e djeshëm u përfshinë 140 forca të armatosura, 36 forca zjarrfikëse, 60 forca nga komisariati i Kurbinit dhe 27 vullnetarë.
Po ashtu u përfshi edhe një helikopter “Cougar” i Forcave të Armatosura që ka kryer rreth 3 orë fluturim, duke bërë të mundur që zjarri të mos arrinte në objektin e kultit “Kisha e Shna Ndout”.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ishte i qëllimshëm dhe një person është ndaluar.
/rtsh.al/