Lady Gaga: E dua Bollivudin

Gaga ka arritur në Delhi për një turne treditor në Indi, ku do të performojë pas përfundimit të Çmimit të Madh të Indisë në Formula 1, e cila mbahet në Utar Pradesh.
Vizita e saj ka zgjuar kërshërinë e medieve indiane, të cilat kanë spekuluar për mundësinë e hyrjes së Lady Gaga në botën e filmit të Bollivudit. E pyetur lidhur me thashethemet për bashkëpunimin me aktorin Shah Rukh Kan, këngëtarja 25-vjeçare ka thënë se për momentin nuk ka asgjë konkrete.
“Jam shumë e emocionuar që ndodhem këtu. India është vend shumë i bukur dhe njerëzit e saj janë shumë të bukur. Për momentin, nuk ka asgjë sa i përket punës, por unë e dua kulturën dhe më pëlqen Bollivudi”, ka thënë Gaga për NDTV.
Gaga, e cila më herët është takuar me Prijanka Çopra, ka thënë se ajo është njëra nga aktoret e saj më të adhuruara.
“Më pëlqen Prijanka. Ajo është shumë e bukur dhe e dashur. Jam shumë e mahnitur nga karriera e saj muzikore. Nuk mendoj se ajo ka nevojë për këshillat e mia”, është shprehur
Lady Gaga, emri i vërtetë i së cilës është Stefani Germanota.
Këngëtarja ka debutuar në skenën muzikore në vitin 2008 me këngën “Just Dance” dhe qysh nga ajo kohë ajo ka lëshuar në shitje 15 milionë ekzemplarë të albumeve dhe 51 milionë këngë në gjithë botën.
Lady Gaga është ranguar nga revista “Forbes” në mesin e dhjetë femrave më të fuqishme në botë. Ajo, po ashtu, është bërë e famshme për ekstravagancën e saj dhe stilin e veshjes.