Mjegull rreth selektorit

Vazhdojnë dilemat për trajnerin e ardhshëm të Kombëtares shqiptare. Edhe pse Besnik Hasi është cilësuar gjithmonë si favorit për të marrë drejtimin e ekipit kuqezi, me kalimin e ditëve, pista që të çon drejt trajnerit të Anderlechtit po zbehet.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka nuk është më i gatshëm të presë ish-kapitenin e Kombëtares dhe me afrimin e miqësoreve të nëntorit kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë, po mendon t’i zgjidhë sa më shpejt dilemat për pasardhësin e Josip Kuzes.
Këto janë fjalët që kanë nisur të qarkullojnë në korridoret shtëpisë së futbollit shqiptar, ndërsa burime të së përditshmes shqiptare ‘Shqip’ brenda FSHF’së ka thënë se “Hasi është pothuajse drejt rënies si mundësi për stolin e Kombëtares. Është e vështirë që Duka të vazhdojë ta presë”.
Çështja e 39-vjeçarit është komplikuar që prej mesjavës që lamë pas, kur drejtuesi më i lartë i FSHF-së organizoi një konferencë për shtyp ku pritej zyrtarizimi i Hasit, por në fund u detyrua të ndryshonte skenarin.
Anderlecht nuk donte të hiqte dorë nga ish-mesfushori kuqezi, që punon prej 4 vitesh në rolin e ndihmëstrajnerit, përkundrazi drejtuesit e gjigantit belg janë të gatshëm t’i ofrojnë një kontratë të re.
Për vetë faktin se kosovari ishte alternativa më e vlerësuar për të marrë drejtimin e Kombëtares, Duka vendosi t’i jepte disa ditë kohë, për të sqaruar situatën. Në këtë mënyrë, ndryshoi edhe vëmendja e federatës rreth negociatave për rrogën e lartë (20-25 mijë euro në muaj) dhe kontratën afatgjatë (4-vjeçare), të cilat ishin pikat e nxehta të bisedimeve.
Tashmë të gjithë prisnin zgjidhjen konsensuale të kontratës së Hasit me klubin mbretëror të Belgjikës. Por, gjithçka është komplikuar, sepse ai nuk ka arritur të bisedojë me presidentin e Anderlechtit, Roger Vanden Stock, i cili ndodhet në SHBA.
Megjithatë, duket se drejtuesi i klubit nuk do ta miratojë largimin e ndihmëstrajnerit, të cilin e cilëson si pjesë të rëndësishme të projektit për të ardhmen e skuadrës.
Ndërsa në situatën e krijuar, duket se pavarësisht dëshirës së Dukës për të ndryshuar “trend”, stoli i Kombëtares shqiptare mund t’i besohet sërish një trajneri të huaj.
Slloveni Matjaz Kek mbetet kandidat serioz, ndërsa qëndrojnë edhe emrat e Srecko Katanecit, Erwin Koemanit apo Manolo Jimenezit.
Ndërkohë, listës së kandidatëve i është shtuar edhe italiani Enriko Fabbro. Sipas medieve italiane, thuhet se drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare ua propozuar krerëve të FSHF’së trajnerin 52-vjeçar.