E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni, bllokohen fishekzjarrë dhe bombula gazi

Krahas kontrollit për parandalimin e abuzimit me çmimet, Bashkia e Tiranës ka vijuar inspektimet edhe për shitjen e lëndëve të rrezikshme për konsumatorin, si: fishekzjarrë, bombula gazi jo të sigurta, pesticide etj. Sipas drejtorit të AMK-së, Geron Ibrahimi, gjatë muajit dhjetor ka pasur një kontroll me ritëm të lartë në bashkëpunim me disa institucione të pushtetit qendror dhe me ndihmë të Policisë Bashkiake, duke bërë edhe sekuestrime të mjaft produkteve jashtë standardit apo sigurisë së kërkuar me ligj. Deri tani janë 146 bombula gazi të sekuestruara nga Inspektorati Teknik, jashtë kushteve të duhura, rreth 147 kuti me kapsolla apo lëndë të tjera plasëse, të cilat kanë rrezikshmëri në përdorimin e tyre gjatë sezonit të festave. Po kështu janë gjobitur 15 subjekteve që tregtonin në kushte jo të përshtatshme këto lloj produktesh. Gjithashtu në këtë proces, sipas Ibrahimit, 15 shitësve ambulantë u janë sekuestruar lëndë pesticide, të rrezikshme për jetën e qytetarëve të Tiranës dhe konsumatorin. Kontrollet janë shtrirë tek të gjitha subjektet dhe do të vijojnë deri në fund të vitit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›