Lagjja me ujëra të zeza nëpër oborre!

Lagjja me dyzetë shtëpi, në të cilën jetojnë kushërinjtë e familjes Xhafolli nga fshati Drenoc i Komunës së Prishtinës, i ngjason një kampi. Në këtë lagje jetojnë 221 persona që nuk kanë rrjet të kanalizimit, furnizim të rregullt me ujë dhe as rrymë elektrike të mjaftueshme. Për rrugë dytësore të shtruara, trotuare e ndriçim as që bëhet fjalë.
Muharrem Xhafolli është njëri nga banorët, brenda oborrit të së cilit kalon lirshëm rrjedha e ujërave të zeza, ashtu siç kalon nëpër rrugë dhe nëpër një pronë private të kësaj lagjeje. Ky ujë madje përzihet me atë të puseve, ku familja furnizohet me ujë për pije, në mungesë të ujësjellësit. Xhafolli ka treguar se duke qenë shumë pranë kanalizimeve, nipërit e tij shpesh janë infektuar, shkruan Tribuna.
Në këtë lagje ujë ka natën, ndërsa gjatë ditës shtypja e ujit është shumë e vogël e herë pas here ujë nuk ka fare. Kompania e ujësjellësit “Ibër-Lepenci”, sipas tij, gjithnjë kërkon që përpara se të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm, të zgjidhet ai i kanalizimit. /Indeksonline/