LIMAK jep zërin e vet

Njoftim për shtyp nga LIMAK
I referohemi një artikulli të publikuar nga gazeta Zëri, ditën e Mërkurë, në datën 31 Korrik 2013, të titulluar “LIMAK po “vjedh” Qeverinë”.
Artikulli në fjalë përcjell informacion të pasaktë, keqinterpretime, dhe akuza të pabazuara.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” i përket popullit të Kosovës, ashtu si çdo pasuri tjetër publike në vend dhe ne nuk mund të heshtim kur përballemi me një artikull të tillë, që keqinformon publikun dhe dëmton reputacionin e shoqërisë sonë.
Ne ndiejmë detyrimin moral të informojmë publikun në mënyrë të saktë.
Grupi turk LIMAK dhe partneri i tij francez Aeroports De Lyon Management & Services themeluan konsorciumin Limak Kosovo International Airport JSC., i cili u zgjodh si ofertuesi fitues në një tender ndërkombëtar të drejtë dhe transparent të organizuar nga Qeveria e Kosovës.
Në 12 Gusht 2012, Republika e Kosovës e përfaqësuar nga Komiteti Dretjues Ndër-Ministror për Partneritetet Publiko-Private nënshkroi me Limak Kosovo International Airport JSC. Marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat (Marrëveshja PPP) për projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” .
Gjatë procesit të ofertimit Komiteti Drejtues vlerësoi midis të tjerash, planet e biznesit të paraqitura nga ofertuesit per zhvillimin dhe operimin e terminalit ekzistues dhe atij të ri në Aeroport. Komiteti Drejtues u asistua nga këshilltarë ndërkombëtarë gjatë procesit të vlerësimit të ofertave dhe midis gjithë ofertave të paraqitura, zgjodhi ofertën tonë si më të përshtatshmen dhe më të favorshmen për interesat e vendit.
Çdo dispozitë e Marrëveshjes PPP është inicuar nga përfaqësuesit e Qeverisë në bashkëpunim të ngushtë me këshilltarët ndërkombëtarë, me synim hartimin e një Marrëveshjeje të ekuilibruar për të krijuar një bashkëpunim përfitues për të dy palët. Kjo Marrëveshje i referohet planit të biznesit të sipërpërmendur.
Gjithashtu, bankat ndërkombëtare që kanë rënë dakord të financojnë këtë projekt shumë-milionësh kanë bërë vlerësimin e planit tonë të biznesit, dhe mbështeten në këtë plan për shlyerjen e kredive të dhëna.
Normalisht, që plani ynë i biznesit përfshin si pjesë të tij shërbimet tregtare si dyqanet, restorantet dhe zonat e marketingut, të cilave u referohet dhe artikulli në fjalë, kontratat për të cilat janë paraqitur rregullisht tek autoritetet qeveritare, ku janë marrë dhe miratimet e nevojshme.
Qeveria e Kosovës dhe bankat mbikëqyrin çdo hap tonin që ndikon financiarisht në realizimin e planit tonë të biznesit. Pra, është e qartë se asnjë nga palët nuk ka interes të keqmenaxhojë këtë pasuri, në mënyrën që aludohet në artikull, pasi një sjellje e tillë do të sillte si pasojë dështimin e projektit për operimin dhe zgjerimin e Aeroportit.
Ne dëshirojmë të sigurojmë publikun se dështimi nuk është në asnjë mënyrë një alternativë për grupin LIMAK dhe partnerin tonë Aeroports De Lyon. Ne po investojmë dhe do të vazhdojmë të investojmë në vend për projektin e Aeroportit rreth 130 milionë Euro, të cilat do t’i ngelen popullit të Kosovës pas përfundimit të Marrëveshjes sonë.
Ne besojmë se të gjithë kanë vënë re ndryshimet pozitive në terminalin aktual të Aeroportit si dhe linjat dhe lidhjet e reja dhe më të lira të cilat Aeroporti po u ofron aktualisht pasagjerëve. Kjo është pjesë e planeve tona dhe terminali i ri, që pritet të fillojë shumë shpejt aktivitetin do të hapë një faqe të re per Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Ne mirëpresim çdo kritikë konstruktive, kur është e bazuar.
Shpresojmë se akuzat e pabazuara dhe analizat e bëra në këtë artikull janë rrjedhojë e informacionit të pasaktë që një burim i ka dhënë gazetarit.
Perceptimi i publikut për ne, si Investitorë të Huaj, qe kemi ardhur në Kosovë, është tejet i rëndësishëm dhe shtypi në vend ka fuqinë dhe detyrimin të infromojë saktë publikun dhe ne shpresojmë që kjo fuqi e shtypit të mos keqpërdoret.
Sinqerisht,
Limak Kosovo International Airport J.S.C