Lahm, i uritur për ‘titullin e madh’

Kapiteni i Bayern Munichut, Philipp Lahm është i uritur për titullin e tij të parë me rëndësi të veçantë, pas dështimeve në të kaluarën.
Lahm ishte anëtar i skuadrës bavareze që u mposht në finalen e Ligës së Kampionëve 2010 nga Inter, kurse vetëm disa muaj më vonë si kapiten i Gjermanisë përfundoi në pozitën e tretë në Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut.
Për më tepër, Lahm ishte finalist i mposhtur në Euro 2008, ndërsa u desh të ngushëllohej me pozitën e tretë në Kampionatin botëror 2006. Tani ai mendon se ka ardhur koha të arrijë një fitore të rëndësishme duke mposhtur Chelsean në finalen e Ligës së Kampionëve më 19 maj, duke lënë pas vetes zhgënjimet nga e kaluara.
“Kam ndjenjë të mirë. Më 2010 nuk besonim se mund të triumfojmë. Tani jemi më të motivuar dhe jemi përmirësuar. Besimi është i madh se mund të fitojmë këtë titull”, deklaroi Lahm për FIFA.com.