E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për Tony’t

Komuniteti i Broadway-t ka qenë jo pak në ankth për nominimet e edicionit të 66-të të “Tony Awards”. Ato u bënë publike nga aktorja fituese e trofeve “Tony” dhe “Emmy”, Kristen Chenoweth dhe aktori fitues i trofeve “Emmy” dhe “Golden Globe”, Jim Parsons.

Janë 40 shfaqje të cilat kanë parë dritën e skenës këtë vit në Broadway ato që do të luftojnë për trofetë. Se kush do të triumfojë, këtë pakkush e di për momentin, por nominimet i udhëheq muzikali "Once", një rivënie e versionit të vitit 2006. 11 nominime kanë shkuar për këtë produksion tepër të suksesshëm.

Muzikali është një ngërthim i traditës irlandeze dhe asaj çeke, një muzikal që bën bashkë njerëzit të cilët ndajnë të njëjtat pasione për muzikën. Ai interpretohet nga Steven Kazee dhe Cristin Milioti, e cila më herët ka qenë e nominuar për rolin e saj si Elizabeth A. Davis për performancën e aktores më të mirë.

Ky muzikal ndiqet nga "The Gershwins' Porgy and Bess" dhe "Nice Work If You Can Get It" me 10 nominime secili dhe 9 nominime kanë shkuar për "Peter and the Starcatcher".

Ndërkaq, 5 nga nominimet e "Porgy and Bess" kanë shkuar për kategorinë e aktorit e aktores më të mirë. Gara në kategoritë e interpretuesve më të mirë duket të jetë tepër e fortë pasi të nominuar janë aktorët më të mirë të shfaqjeve në skenat legjendare të Broadway.

Duke qenë se deri në natën e ndarjes së çmimeve ka ende shumë kohë, tani radhën e kanë komentet dhe parashikimet se kush do të triumfojë në këtë edicion të radhës së çmimeve prestigjioze.

Ceremonia e "Tony Awards" që nderon muzikalët më të arrira të një viti që shfaqen në skenën e Broadway-t, do të mbahet mbrëmjen e 10 qershorit dhe mikpritësi i këtij edicioni të 66-të është Neil Patrick Harris, i cili e moderon për të tretën herë në karrierën e tij ceremoninë prestigjioze.

Sinjali i cili do të prodhohet në Broadway në New York do të transmetohet në qindra ekrane në të gjithë botën veçmas ekraneve në çdo kënd të Amerikës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›