Nis Fest 64 në RTSH, spektakël, garë dhe emocione në “Pallatin e Kongreseve“, 14 këngëtarët e natës së parë që ngjiten në skenën magjike

Pallati i Kongreseve shndërrohet në epiqendrën e artit shqiptar. Nën tingujt e magjishëm të orkestrës së RTSH dhe dritat e një skene madhështore në Pallatin e Kongreseve, ka startuar mbrëmjen e sotme edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH, që është edhe festa më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare.
Si ngjarja më e rëndësishme muzikore mbarëkombëtare, ky festival nuk është thjesht një garë, por edhe një festë e muzikës që bashkon shqiptarët kudo ku ndodhen, nga trojet në diasporë.
Fest 64 vjen që në natën e parë si një kulminacion i punës kolosale të një ekipi profesionistësh. Skenografia e kuruar me detaje, regjia televizive që do të kap çdo emocion dhe kostumografia që i jep shkëlqim çdo artisti, për të krijuar një atmosferë “Neo Albania Future”.
Gjatë katër netëve (17-20 dhjetor), 28 artistë do të interpretojnë drejtpërdrejt, në një garë që këtë vit nuk synon vetëm fitoren, por edhe një transformim modern të traditës shqiptare.
Hapja e madhe, Elhaida Dani në një rol të dyfishtë
Nata e parë ka nisur me një moment kulminant. Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani, e cila këtë vit mban peshën e kurimit të të gjithë eventit, çeli skenën me një performancë që kombinoi fuqinë e saj vokale me elegancën skenike.
Salsano Rrapi dhe Arilena Ara, një “dashuri artistike”
Spektakli po moderohet nga dyshja: aktori Salsano Rrapi dhe këngëtarja Arilena Ara. Për Salsanon, ky festival është një “brand” që i ka mbijetuar çdo kohe.
Nga ana tjetër, Arilena ka premtuar një frymë moderne, të ngjashme me stilin e platformave globale si ‘MTV’.
Nata e parë mes zërave të rinj dhe surprizave
Në këtë natë të parë, 14 artistë do të prezantojnë krijimet e tyre, duke shfaqur një ndërthurje të larmishme zhanresh. Nga baladat deri te rrymat më bashkëkohore, skena e Fest 64 do të jetë dëshmitare e debutimeve emocionuese dhe rikthimeve të emrave të njohur.
Struktura e netëve dhe votimi
Festivali është i ndarë në katër faza kyçe:
Nata 1 & 2, prezantimi i 28 këngëve konkurruese.
Nata 3 (nostalgjia), këngë që kanë bërë historinë, të riorkestruara me frymë moderne nga dirigjentët Kapedani, Qinami dhe Ademaj.
Nata 4 (finalja), shpallja e fituesit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026 në Austri.
Sistemi i votimit
Për të garantuar transparencë, fituesi do të përcaktohet nga formula 50% votat e jurisë dhe 50% votat e publikut përmes SMS-ve (Vodafone/One në Shqipëri dhe IPKO/Vala në Kosovë).
Emrat e mëdhenj të ftuar në netët e Fest 64
Përveç garës, skenaristi i Fest 64 Koloreto Cukali ka premtuar momente të jashtëzakonshme në spektakël.
Bleona Qereti rikthehet pas 30 vitesh në skenën ku nisi karrierën me këngën “Lërmëni”, ndërsa personazhi provokues i Eurovision, Tommy Cash, pritet të dhurojë energji të jashtëzakonshme në natën finale.
Listës së të ftuarve i shtohen edhe Ramë Lahaj, Elsa Lila, Aleksandër Gjoka dhe Vlashent Sata.
Ndërkohë, emocionet e vërteta “në prapaskenë” do t’i sjellin për publikun Andri Xhahu dhe Antoneta Koci, të cilët do të shoqërojnë artistët në momentet e ankthit dhe gëzimit para dhe pas performancës.
Artistët e natës së parë që ngjiten në skenë:
Rigersa Loka – “Albanian Heart”
Lorenc Hasrama – “Lamtumirë”
Sara Kapo – “Të dua shumë”
Sheila – “Zemra e tokës”
Kleansa Susa – “Hije”
Gresa Gjoçera & Bledi Kaso – “Busulla e zemrës”
Rezarta Smaja – “Balukeprera”
Ghiti – “Okej”
Lynx – “Nuk kthehem pas”
Erand Sojli – “Të kam në fron”
Inis Neziri – “Ta kam fal”
Kimi – “Prapë diell del”
Alis – “Nan”
Enxhi Nasufi – “Dritë”
/rtsh.al/