Lajcak Politika te tregoje pergjegjesi

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në fund të takimeve me liderët politikë të vendit, Lajcak ka vlerësuar si “mjaft të rëndësishme” zgjedhjet lokale të 8 majit.
“Vizita ime tregon interesin e BE-së për situatën në Shqipëri. Zgjedhjet e 8 majit janë maft të rëndësishme për vendin. Drejtuesit politikë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre”, ka deklaruar Lajcak.
Zyrtari evropian ka nënvizuar se, që vendi të afrohet me BE-në duhet të kryhen reforma konkrete, duke e vënë theksin tek kushtet e parashtruara nga KE.
“Parakushtet janë: dialogu mes politikanëve, respektimi i institucioneve dhe ndërtimi në mënyrë të pastër të besimit tek institucionet”, është shprehur Lajcak.
Duke qendruar në këtë drejtim, ai ka kërkuar që hetimi mbi ngjarjet e 21 janarit të bëhet i plotë dhe i pavarur nga institucionet e drejtësisë.
“Kërkohet një hetim i plotë dhe i pavarur për ngjarjen e 21 janarit. Komisioni parlamentar i ngritur për këtë cështje të kryejë hetimin e tij dhe përfundimet t’ia kalojë prokurorisë”, ka nënvizuar Lajcak.
Ai ka theksuar se BE pret punë serioze për vazhdimin e reformave për përmbushjen e kushteve të parashtruara në raportin e KE.
“Presim një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si dhe bashkëpunim më të mirë qeveri-opozitë për luftën kundër krimit, korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve”, ka shtuar Lajcak.