Zgjedhjet vendore, PD hap fushatën elektorale
Partia Demokratike ka hapur sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve PD-ja ka zyrtarizuar kandidimin e ministrit të brendshëm Lulzim Basha për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha rikujtoi edhe njëherë fitoren e PD-së në 22 mars të vitit 1992 duke e cilësuar atë si një ditë historike për të gjtihë shqiptarët.
"22 Marsi është dita e lirisë, dita e madhe për shqiptarët që në të katër anët kërkonin një Shqipëri tjetër, një Shqipëri europiane” theksoi kryeministri Berisha.
“Sot ne ecim drejt 8 majit, drejt zgjedhjeve. Kjo është një ditë për tu zotuar se do bëj gjithçka për të shpërmbyer me mirënjohje punën tuaj, besimin tuaj entuziazmin tuaj. Programi ynë jeni ju dhe ëndrrat tuaja” theksoi më tej Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha shtoi se “8 maji do të jetë festa e madhe e votës së lirë, e përkushtimit”.
Ndërsa në fjalën e tij Lulzim Basha rikujtoi edhe njëherë fitoren e PD-së në vitin 1992 duke e cilësuar këtë fitore si historike.
“19 vjet më parë nga ambjentet e KQZ-së në moshën 17-vjeçare unë pata fatin të jem vëzhguesi më i ri që monitoroi procesin e 22 marsit 1992” theksoi Basha duke shtuar se këto zgjedhje nuk ishin vetëm një fitore histroike për PD-në por një fitore e gjithe shqiptarëve.
Ai gjithashtu theksoi se pas 22 marsit 1992 Shqipëria ka ecur përmes sfidave dhe arritjeve të mëdha.
“Ta kujtojmë këtë moment magjik për shqiptarët dhe ti falenderojmë ata që e bënë këtë të mundur. Jam krenar që jam pjesë modeste e kësaj force historike” theksoi më tej Basha.