Lajcak mberrin ne Tirane

Lidhur me zgjedhjet Lajçak tha se nuk ka kohë për të ndryshuar kodin, por të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.
“Parakushti i parë për të arritur përparim është pikësëpari rifillimi i menjëhershëm i dialogut mes politikanëve dhe institucioneve të Shqipërisë. Së dyti, respektimi i plotë i institucioneve të vendit dhe së treti rivendosja e shpejtë dhe frytdhënëse e besimit brenda parlamentit dhe ndërmjet politikanëve dhe qytetarëve. Për të qenë më specifik, ajo që kërkohet është kjo: Mbështetja e hetimit gjithëpërfshirës dhe të pavarur të ngjarjeve të 21 janarit, që duhet të kryhen në mënyrë të shpejtë dhe të plotë për të vënë përpara drejtësisë të gjitha shkeljet penale të kryera në këtë datë. Do të vlerësohej shumë nëqoftë se komisioni hetimor parlamentar i cili është ngritur posaçërisht për të hetuar mbi ngjarjet e 21 janarit, gjetjet e tij t'ia dërgonte Prokurorisë së Përgjithshme. Përsa i përket aspektit të demokracisë, do të donim shumë që të shikonim zbatimin e praktikave më të mira në organizimin dhe përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Në të njëjtën kohë do të vlerësonim shumë sigurimin dhe zbatimin e plotë të kodit zgjedhor dhe të gjitha rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR për të përmirësuar sa më shpejt të jetë e mundur praktikën e zgjedhjeve dhe për të marrë masa që rrisin besimin për një fushatë të ndershme zgjedhore”, është shprehur Lajçak.
“Ky është vendi juaj, ky është sistemi juaj zgjedhor, këto janë partitë tuaja politike, që janë përgjegjëse për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet vendore apo për zgjedhje të tjera, padyshim politikanët janë të interesur për rezultatin përfundimtare të tyre. Por për ne, komunitetin ndërkombëtar është e rëndësishme që proçesi zgjedhor të jetë transparent, demokratik, i lirë dhe i ndershëm. Dhe kjo mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve të rëndësishëm politikë. Në të njëjtën kohë është e qartë se në të gjithë vendet është përgjegjësi e qeverisë që organizojë zgjedhje që arrijnë standardet për të qenë të lira dhe të ndershme. Kur lexoni rekomandimet e ODIHR-it pas zgjedhjeve zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, ka dispozita të qarta që kanë të bëjnë me përmirësime për KQZ-në, me qeverinë dhe me partitë politike. Një pjesë e këtyre ndryshimeve kanë të bëjnë më ndryshimin e kodit zgjedhor, por ka edhe shumë dispozita të tjera që jo domosdoshmërisht lidhen me ndryshimin e kodit dhe këto rekomandime lidhen me mënyrën të kryerit të zgjedhjeve apo praktikën zgjedhore. Ne duam të shohim që raportimet në fund të këtyre zgjedhjeve do të ishin më të mira sesa ato të zgjedhjeve të përgjithshme. Ka ende kohë dhe shumë gjëra mund të bëhen nga ato që ka identifikuar ODIHR-i pas zgjedhjeve të fundit. Dhe një nga qëllimet e misionit tim është të nxis politikanët që të angazhohen në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Dhe ka ende kohë”, theksoi Lajçak.
“Përmirësimi i rregullores së Kuvendit mbi bazën e praktikave më të mira parlamentare dhe së dyti sigurimi i një proçesi të ndershëm për zgjedhjen sa më të shpejtë të avokatit të popullit, i cili është një proçes i cili është ngardalsuar shumë. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor”, shtoi ai.