E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajme të kundërta në kohë krize

24-03-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Disa vite të shkuara, të 40 pjesëmarrësit e shkollës së verës, me temë “ Mbi sigurinë botërore”, organizuar nga universiteti i Kiel, m’u në veri të Gjermanisë, të cilët patën ardhur nga  SHBA, Kina, Brazili, Rusia, India, Anglia, Argjentina, Pakistani, Filipine, Afrika e Jugut, Italia, Ballkani, vende arabe etj, e përfunduan programin me udhëtimin me autobus për në Bruksel, në selinë e NATO-s, dhe një konferencë me Sekretarin e Përgjithshëm të saj, Havier Solana. Hapja u krye në universitetin e Kiel, përmbyllja u organizua në Bon, nga ministria gjermane e mbrojtjes.
Gjatë udhëtimit Kiel - Bruksel, një ballkanasi i rastisi të ishte ulur pranë e pranë me një ushtarak  gjerman  të ministrisë së mbrojtjes, edhe ai pjesëmarrës në shkollën e verës. Koha e mjaftë hapi biseda të ndryshme, përfshirë dhe industrinë gjermane të automobilëve. Ballkanasi, me një mendim  thuajse kolektiv nga hapësirat prej nga vinte, e pyeti oficerin: “A dini ndonjë opinion qytetar gjerman se, cila markë  e makinave gjermane  është më e mira?” “Druaj të përgjigjem, sepse ju vini nga Ballkani dhe përgjigjen time mund ta merrni si të një  nacionalisti gjerman ose të një gjermani patriot”, tha.
Ballkanasi e ndryshoi kahjen për të marrë përgjigjen e kërkuar: “Ne, ngarësit ballkanas të makinave, kemi mendimin se nuk ka si Mercedes Benz, ndërsa Volkswagen-in e renditim në fund të pesë markave gjermane”. “Unë nuk jam inxhinier në industrinë tonë të makinave, por pa u vetëshpallur patriot, po të them që, të pesë markat gjermane të automobilëve janë të cilësisë së lartë njëlloj. Unë vet përdor Volkswagen dhe, po them që kjo markë është një makinë shumë popullore”.
Që atëherë kanë kaluar disa vjet dhe, m’u në mesin e  krizës së madhe ekonomike, europiane dhe botërore, mediat gjermane përhapën një lajm që  kaloi pa rënë në sy në mediat shqiptare. Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen, pas mbylljes së analizës ekonomiko-financiare për vitin 2012, vendosi  pa lëkundje që, të 100 000 punëtorëve të saj në Gjermani,  t’u japë shpërblim nga 7200 euro secilit. Për anëtarët e menaxhimit, këshilli mbikëqyrës i grupit Volkswagen vendosi që, lista e shpërblimit të tyre të kufizohet. Ndërsa  shefi i kompanisë, Martin Winterkorn, nuk do të marrë 17.5 milionë euro sa i takonin, por  ia zbritën në  14.5 milionë, gjithësesi, edhe me kaq ai u bë drejtori më i paguar në Gjermani. Këtë shpërblim të ndjeshëm dhe masiv në kohë krize, Volkswagen e bëri sepse kompania realizoi një fitim prej 22 miliardë eurosh.
Ky lajm nga një kompani gjigande, është si  lakmuesi që vë në pah shëndetin e ekonomisë gjermane,  edhe në kohë krize të thellë botërore. Ai është shprehje e disiplinës gjermane në punë dhe administrimit gjerman të financave. Ç’faj u ka Gjermania shteteve në krizë, prej nga ku, shpesh ajo u gjykua në mënyrë kritike, të cilat i kërkuan male parash për t’i zbrazur në humnerën e tyre të frikshme,  ku e para e të gjithëve qe  Greqia? Siç lajmi nga Volkswagen është gati i pabesueshëm në zonën e gjerë të krizës së sotme, edhe pse i vërtetë,  lajmi grek i katër viteve e ca të shkuara, nuk qe as  i besueshëm e as i vërtetë: para se sa Greqia të shpallte pragfalimentimin, protestat e mëdha që nisën, ia veshën si shkak vrasjes së një adoleshenti. Por grekët nuk janë përfshirë në protesta pafund nga humbja e një adoleshenti - ende dhe askund nuk ka qytetarë me një ndjeshmëri kaq të madhe - por nga rënia e ekonomisë së tyre në katastrofë, deri dhe në tregti me pjesë të territorit apo të vlerave të paçmuara historike.
Të dy ekonomitë mund të shpjegohen edhe sipas Charls Dikens, i cili ka shkruar që: “Të ardhurat vjetore 20 paund, shpenzimet vjetore 19 paund; rezultati, lumturi”.
Kjo i shkon kompanisë Volkswagen dhe Gjermanisë. “Të ardhurat  vjetore 20 paund, shpenzimet vjetore 26 paund; rezultati, mjerim”. A nuk e shpjegon kjo shkakun pse Greqia shkoi në krizën më shembullore?
 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›