Montefiore: “Stalini, diktatori që vdiq mbi urinën e tij”
Historiani Simon Sebag Montefiore, biografi i njohur hebreo-britanik i Stalinit, flet në periodiken prestigjioze gjermane “Die Welt” mbi orët e fundit të diktatorit komunist
Historiani britanik Simon Sebag Montefiore është autor i dy veprave mbi diktatorin nga Gjeorgjia: "Stalini në oborrin e Carit të Kuq" (2006) dhe "Stalini i ri" (2007). Montefiore foli me Alan Posener. Gjatë vizitës sime në Gjeorgji, mbeta i habitur nga nderimi që i bëhej atje Stalinit. A keni ndonjë shpjegim për këtë? Simon Sebag Montefiore: Stalini ishte gjeorgjiani më i madh në historinë botërore. Ai ishte cari i një perandorie botërore. Kështu që është e vështirë të habitesh që kujtimi i tij është ende i fortë në Gori. Por edhe atje, lidhja e gjeorgjianëve me Stalinin është ambivalente, ndjesitë e tyre nuk janë të unifikuara. Ata e dinin shumë kohë para rusëve, se ç’përbindësh ishte ai, dhe ndoshta do vazhdojnë ta kujtojnë edhe kur në Rusi të jetë harruar. Imazhi ynë mbi Stalinin është ende i ndikuar nga gjykimi i Trockit. Ai e paraqet Stalinin si dikush që deri para revolucionit s’kishte bërë asgjë. Megjithatë, ai ishte padyshim një organizator i talentuar që ushtronte terror, një njeri i veprimit, në krahasim me intelektualët që udhëhoqën në ekzil Partinë Bolshevike.
Të gjithë historianët perëndimorë u mbështetën në pikëpamjet menshevike dhe trockiste mbi Stalinin. Por ne e dimë tani se Trocki ishte një gënjeshtar i madh po aq sa Stalini. Ai mund të ketë qenë gjithçka përveçse një njeri si gjithë të tjerët. Të gjitha burimet mbi Stalinin e ri tregojnë se ai ishte i veçantë, ndryshe nga të tjerët. Suksesi i tij erdhi për shkak se ai ishte jo vetëm një organizator i mirë dhe një ekspert në të ashtuquajturin "arti i zi" i sulmeve dhe spiunazhit, por edhe se ai mund të punonte mbi teoritë dhe të redaktonte artikujt politikë. Kur flasim për shërbimet sekrete cariste, Ochrana, imagjinojmë një organizatë mjaft efikas dhe vdekjeprurëse. Megjithatë , në librin tuaj në lidhje me Stalinin e ri, Ochrana paraqitet ende si joefikase dhe e ngathët ashtu si CIA sot. Dhe duket se ajo (Ochrana) e mendonte më shumë se sa CIA, kur bëhej fjalë për të vrarë armiqtë e saj.
Po, Shërbimi Sekret nuk ishte aq brutal sa CIA. Carët ishin ndoshta shumë më tepër të dobët në shtypjen e revolucionarëve. Krahasuar me bolshevikët, njerëzit e shërbimit sekret dukeshin si njerëz “të mirë”. Megjithatë, ata bënë një punë të shkëlqyer në infiltrimin në partitë revolucionare dhe shpërbërjen e tyre nga brenda. Kjo është edhe arsyeja se përse bolshevikët në 1930, ‘40 ‘50 shpenzuan aq shumë kohë duke u përpjekur për të vrarë njëri-tjetrin. Këto ishin efektet e vonuara të suksesit të Ochrana. Kjo ishte arsyeja pse komunistët mendonin se radhët e tyre ishin mbushur me tradhtarë dhe spiunë.Le të bëjmë një kapërcim nga Stalini i ri tek i vjetri. Vdekja e tij ishte pothuajse emblematike për sistemin që ai kishte krijuar. A mund ta përshkruani atë ditë 60 vjet më parë?
Është e vërtetë që mënyra e vdekjes së tij pasqyron sistemin që Stalini kishte ngritur. Ai kishte arrestuar mjekët më të mirë në vend, që kishin punuar për Kremlinin, sepse ai dyshonte se ata po komplotoni kundër jetës së tij. Prandaj atij i mungoi në fund të jetës së tij, kujdesi i mirë mjekësorë. Kjo ishte një lloj vetë-përmbushje e profecisë. Jeta e tij private është mbajtur rreptësisht sekrete, madje edhe nga stafi më i afërt politik. Prandaj, stafi pranë tij në Moskës pati frikë të raportonte goditjen e tij shëndetësore. Diktatori qëndroi për një natë të tërë i shtrirë përdhe mbi urinën e tij në dyshemenë e dhomë së gjumit, sepse shokët e tij të Byrosë Politike kishin frikë ta preknin atë. Ndoshta edhe për shkak se ata shpresonin që ai të vdiste shpejt.
Pas vdekjes së Stalinit më 5 Mars 1953 terrori ndali thuajse menjëherë. Shefi i Shërbimeve Sekrete, Beria, u qëllua, Gulagu punonte akoma, por gjakderdhja e madhe kishte përfunduar. Pse? Udhëheqjes kolektive të Partisë – dhe meqë e përmendët edhe Beria-s - që përpara vdekjes së Stalinit i ishte bërë e qartë se terrori i tij ishte padrejtësisht i tepruar. Kjo tregon se sistemi ishte edhe produkt i personalitetit paranojak të Stalinit. Pasi vizitova Muzeun e Stalinit në Gori, mendova se sa mirë do të ishte nëse edhe në Braunau apo Linz të kishte një muze të tillë mbi Hitlerin.
E pra, fituesit janë ata që shkruajnë historinë dhe ndërtojnë muzeumet.
*Marrë nga Die Welt