Valbona, epos i bukurisë kreshnike të Shqipërisë
Jemi mësuar ta mbajmë fokusin tonë të turizmit në vendet bregdetare e kemi harruar që diku më ne veri shtrihet një “princeshë” e bukur e Nënës Natyrë, që dikur gjendej e rrethuar brenda mureve të kalasë që formojnë malet dhe se tashmë kjo “princeshë” gjendet e lirë falë çlirimit nga izolimi që i ka bërë infrastruktura rrugore
Me ftesë të kryetarit të komunës së Margegajt, z. Rexhe Byberi, mu dha mundësia, ashtu si dhe disa kolegëve të mi gazetarë nga media të ndryshme, të përjetoja një eksperiencë përrallore dhe të rrallë në “El Doradon” natyror të Shqipërisë, Valbonë. Them e rrallë pasi jo të gjithë shqiptarët i kanë shijuar bukuritë e kësaj perle të natyrës shqiptare. E gjendur e fshehur midis maleve krenare të vendit tonë, dikur perle e mbyllur brenda guaskës si pasojë e mungesës së infrastrukturës, sot, falë “Rrugës së Kombit” kjo relikë e natyrës, e skalitur aq bukur nga Zoti, simotër e Kopshtit të Edenit, është bërë plotësisht e aksesueshme për turistët e huaj por edhe për vetë shqiptarët. Nisja nga Tirana u shoqërua me një sëkëlldi dhe mërzitje vdekjeprurëse për nervat e durimit si pasojë e trafikut të rënduar. Brenda fugonit, në sfond dëgjohej zhurma e përplasjes mes ideve dhe komenteve të ndryshme mes gazetarëve, për tematika të ndryshme dhe kjo zhurmë intelektuale ishin kura e vetme për ato minuta deri në daljen nga Tirana. Intensiteti i dialogut mes kolegëve-instinkti gazetaresk i të debatuarit- vazhdonte të ishte një kurbë rritëse, për të shkuar drejt pikës “0” me hyrjen në Rrugën e Kombit. Në ato momente, heshtja pushtoi fugonin ndërsa sytë tanë shigjetonin përmes xhamave të fugonit madhështinë e kësaj mrekullie te infrastrukturës rrugore ndërkohë që gomat e makinës po festonin mungesën e armikut të tyre-gropës-duke përkëdhelur aq butësisht asfaltin e rrugës. Fugoni dukej se i kishte humbur kontaktet me tokën dhe forcën fizike të fërkimit. Tashmë, në mënyrë paradoksale, rolet ishin ndryshuar. Rruga duket sikur ecte dhe makina qëndronte në vend. Zbulova se kjo rrugë ka dhuntinë e mrekullueshme që të të ofrojë jo vetëm madhështinë dhe përsosmërinë e modernitetit të saj, por ajo shërben dhe si një ciceron natyror. Në xhamat e makinës dukeshe sikur ishin vendosur piktura të ndryshme të bukurive natyre, të cilat ndryshonin nga peizazhe fushash, në ato lumenjsh dhe malesh kryelartë. Ky kordon umbrikial që ka bashkuar Nënën Shqipëri me bijën Kosovë na ofroi teleportin për të mbërritur shpejt dhe me komoditet në Valbonë, destinacion për të cilin disa vjet më parë të lodhte vetëm mendimi se do shkoje. Udhëtimi vazhdoi të ruante konstanten e komoditetit në Kosovë dhe në rrugët e Tropojës-rrugët me gropa ishin kthyer tashmë në legjendë urbane... Pasi hymë në Bajram Curri zbritëm 3 kilometra me poshtë për t’u takuar në ambientet e komunës Margegaj me organizatorin e këtij udhëtimi, kryetarin e Komuna z. Rexhe Byberi. Mikpritja e organizuar nga z. Byberi ishte madhështore dhe solemne, një pritje që zakonisht pushteti i katërt e përjeton rrallë në krahasim me tre pushtet e tjera. Të gjithë si gazetarë u ndjemë tepër të nderuar. Zoti Byberi, së bashku me administratën e tij, na informoi rreth transformimit tepër pozitiv që ishte kryer në komunën e tij, sidomos në pikat turistike si Valbona, duke vënë theksin tek ndërtimi i rrugëve, fuqizimin e sistemit elektrik etj, si dhe në krijimin e infrastrukturës së nevojshme të informacionit për turistët vendas dhe të huaj. Si rezultat i gjithë këtyre investimeve dhe të tjera, z.Byberi nënvizoi se tashmë Valbona është shndërruar në një destinacion turistik me parametra europian. Përfundimi i këtij takimi shtypi u shoqërua me ngritje dollish për të vazhduar me rrugën tonë. Udhëtimi drejt Luginës së Valbonës ishte si ecja në një tapet të kuq të shtruar nga Nëna Natyrë e cila na ftonte në brendësi të kryeveprës së saj. Paralel na shoqëronte lumi me gjarpërimin e tij së bashku me troftat ndërsa sipër qëndronin malet e larta të mbuluara bashkë me shqiponjat, të cilët vëzhgonin nga lart të huajt që po prishnin “privatësinë” e tyre. Sa më shumë penetronin në brendësi të luginës aq më shumë largoheshin nga habitati i njeriut urban. Zhurmat e makinave ishin zëvendësuar me melodinë e gurgullimës së ujit në lumenj dhe përrenj, pallatet shumëkatëshe ishin zëvendësuar me male gjigande që pickonin qiejt e që dukeshin si strehë e titanëve, hipokrizia e shoqërisë urbane ishin zëvendësuar me shpirtin e mikpritjes së malësorit kreshnik. Ishim ndër të paktët gazetarë, ndoshta të parët, që po e vizitonin Valbonën gjatë dimrit, kur bardhësia dhe trashësia e dëborës ende mbante në pushtetin e saj format e ndryshme të relievit. Zbuluam se nuk ishte një dëborë armike, nga ajo krijon një panoramë të zymtë dhe armiqësore, por ishte një soj tjetër, nga ajo flokët e së cilës nuk kishin rënë për t’u armiqësuar, por për të krijuar një bashkëjetese mahnitëse me pemët, malet dhe shtëpitë alpine të vendasve- gati një marrëdhënie simbioze ku dëbora përfitonte nga bukuria e mikut që e mirëpriste në shpatullat e tij dhe anasjelltas. Kjo dëbore i ofronte Valbonës turizmin dimëror. Këtu, narcisti mëson se është i shëmtuar, këtu i palexuari bëhet shkrimtar, këtu qepallat e syve nuk duan të mbyllen dhe sytë përjetojnë një gjendje të lartë eksitimi... Është Lugina e Jetës, kalimi përmes saj të mbush me gjallëri, ku qenia fizike dhe psikologjike pëson një katarsis të gjithanshëm. Qëndrimi dy ditor në Valbonë na ofroi mundësinë për të eksploruar më tej në thellësinë e bukurisë së saj. Ngado që hidhnim vështrimin, format e mrekullueshme të kuintesencës së bukurisë natyrore, lumenjtë, ujëvarat dhe malet e larta dhe krenare bënin sfilatë para syve tanë duke na magjepsur dhe hipnotizuar me sharmin e tyre. Malet të detyronin të ndiheshe i vogël, por njëkohësisht i madh që gjendeshe mes tyre. Nga gjinjtë e tyre vërshonin ujëvara, ashtu si gjinjtë e nënës që ushqejnë fëmijët, këto male ushqenin lumenj. Poeti dhe piktori më i mirë, do ta kishte të vështirë ta përshkruante dhe ta vizatonte këtë gjerdan të natyrës. Dukej sikur në krijimin e botës, Zoti e kishte privilegjuar vendin tone duke i kushtuar një vëmendje më të madhe skalitjes së kësaj kryevepre që e shpalos Valbonës si Kopshtin e Edenit shqiptar, si konsullatën e bukurisë së parajsës në tokë. Në reportazhet e pakta që janë bërë për Valbonën nënvizohet se bukuria e kësaj perle natyrore ka arritur të mbijetojë si pasojë e mungesë së dorës së njeriut. Në këtë përfundim arrijmë vetëm nëse do të gjykojmë ngushtë, duke vëne vijën e simetrisë mes njeriut urban dhe atij malësor, pra duke shtrire mendimin e të të paragjykuarit të njeriut si qenie skllave e teknologjisë dhe promovuese e efekteve të saj edhe tek malësori. Këtu, prezenca e njeriut i shton Valbonës edhe një dimension tjetër në bukurinë e saj, një dimension të bukurisë njerëzor e cila plotëson dimensionin e bukurisë natyror të saj. Shpirti i mikpritjes kumbon ende në jehonën e maleve. Turistët, vendas dhe të huaj, me të shkelur brenda shtëpisë së vendasve shndërrohen në Perëndi të një Olimpi shqiptar, ku vendasit përgatisin tribute duke shtruar tavolinën me ushqime dhe pije. “Ne nuk presim një turist, ne presim një mik” thotë Kolë Gjoni, Kryeplaku. “Nëse mikut i bie luga apo piceta poshtë, do të ndihesha i turpëruar nëse do ta lija mikun që ta ngrinte vetë”, shprehet Gjoni duke na treguar kështu disa nga nenet e Kodit të mikpritjes së malësorit. Pikërisht, në hotelin e z. Mirash Lamthi gjetëm atë mikpritje që besohej se ishte zhdukur dhe gjendej vetëm duke gërmuar në histori. Plotësimi që i bën dora e njeriut, një diamant shtesë në këtë bizhu natyrore të quajtur Valbonë, shijohet qartë tek kuzhina vendase, me ushqime tradicionale, mes të cilave spikat flija. Kombinimi i sofrës së mbushur plotë me muzikën tradicionale në sfond të shoqëruar me çifteli dhe nga mjeshtrit e mëdhenj të muzikës folklorike, z.Ibrahim Mucaj dhe të birit të tij Eduard, si dhe në fyell mjeshtri Ali Imeri ofronte një skenë hareje dhe dëfrimi që do ta kishte zili edhe Perëndia greke Dionis. Turistët e huaj që mundëm t’i takonin në Valbonë ndiheshin të mahnitur dhe njëkohësisht të habitur se një “bukuroshe” e tillë ekzistonte në botë dhe se ndodhej pikërisht në Shqipëri, në vendin që para 20 viteve imazhi i vetëm që përcillte në anët e tjera të botës barte ngarkesa negative. Turisti cek me të cilën bisedova më shprehu impresionin e madh që kishte ndjerë kur e kishte vizituar për herë të parë Valbonën para 2 vjetësh. Ai tha se mahnitja e madhe e nxit të vijë pothuajse për vit në Shqipëri vetëm për të kaluar një jave përrallore në Valbonë. “Kam qenë në Alpet e Zvicrës, por këtu në Shqipëri, konkretisht në Valbonë ka diçka që edhe pse nuk e kam gjetur ende, më magjeps më shumë. Ju keni diçka të mrekullueshme, “mikpritjen”, ky trajtim më bën të ndihem sikur jam pjesë e një familjeje shqiptare”, përfundoi turisti. Sipas kryetarit të Komunës, z. Rexh Byberi, rreth 28 mijë turistë kanë vizituar Valbonën në vitin 2012 dhe ky numër vazhdon të rritet nga viti në vit. Nga e gjithë kjo eksperiencë magjike që përjetova, personalisht, u ndjeva i turpëruar që si shqiptar, kisha lënë pa vizituar një mrekulli të tillë, ndërkohë që turistët e huaj ishin shndërruar gati në vendas nga vizitat e shumta në Valbonës. Jemi mësuar ta mbajmë fokusin tonë të turizmit në vendet bregdetare e kemi harruar që diku më ne veri shtrihet një “princeshë” e bukur e Nënës Natyrë, që dikur gjendej e rrethuar brenda mureve të kalasë që formojnë malet dhe se tashmë kjo “princeshë” gjendet e lirë falë çlirimit nga izolimi që i ka bërë infrastruktura rrugore. Valbona, kjo epos i bukurisë kreshnike të Shqipërisë është tashmë larg vetëm 5 orë, në pritje të ithtarëve të rinj të bukurisë magjepsëse të saj.
...