E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajmi i zotit Blok

Rubrika: Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera / Çdo të mërkurë një pamflet ose skicë humoristike nga Tueini. Në vitet gjashtëdhjetë, Alqi Kristo i pati përmbledhur tek "Vjedhja e elefantit të bardhë". Në vijim, "Lajmi i zotit Blok", një leksion aspak i mërzitshëm akademik mbi "shkrimin dhe raportimin e lajmit"


Mark Twain

Miku im i çmuar, z. Xhon Uilliam Blok, nga qyteti Virxhinia, hyri në zyrën ku ndodhesha unë si zëvendëskryeredaktor, mbrëmë natën, në një orë të vonshme, zemërvrarë e me një pamje të tukequr nga dhembja dhe duke psherëtirë thellë, lëshoi mbi tavolinë me kujdes një lajm dhe u largua përsëri me ngadalë.

Qëndroi për një çast tek dera, dhe dukej se po përpiqej të mbante veten që të mund të fliste dhe, duke treguar me kokë dorëshkrimin e tij, më tha me një zë të shuar:

"Oh, sa keq, miku im" dhe u shkreh në vaj. Më preku kaq shumë hidhërimi i tij, sa nuk guxova ta ndaloja për ta qetësuar. Gazeta kishte shkuar në shtyp, por meqenëse miku im e quante të rëndësishëm botimin e tij, dhe duke menduar se kjo gjë do ta ngushëllonte zemrën e tij të plagosur, e ndalova shtypjen menjëherë dhe e futa lajmin në një kolonë.


FATKEQËSI E TRISHTUAR. Dje mbrëma, në orën gjashtë, Uiliam Shuleri, një banor plak e i nderuar nga Sauth Parku, doli nga shtëpia për të shkuar në qendrën e qytetit, siç e ka pasur zakon gjatë shumë vjetëve, me përjashtim të një kohe të shkurtër, kur e ndërpreu, në pranverën e vitit 1850, sepse ndodhej i shtrirë në shtrat për shkak të disa plagëve të marra gjatë një përpjekjeje për të ndaluar një kalë të çakërdisur, të cilit i doli përpara dhe i zgjati duart duke bërtitur, pa marrë parasysh se po e shkelte me këmbë, gjë që po ta kishte bërë një sekondë më parë, do ta kishte trembur më shumë kafshën, në vend që t'i ndalonte shpejtësinë, megjithëse edhe ajo që i ngjau ishte shumë e rëndë dhe u bë akoma më e rëndë nga prania e së vjehrrës, e cila u ndodh aty dhe e pa këtë ngjarje të trishtuar, ndonëse s'dihet me siguri në i kishte sytë atje, sepse kur ndodhin aksidente, ajo vështron në drejtim të kundërt, duke qenë e ngathët, nuk vë re në përgjithësi, bile nuk shikon as të këqijat, siç ka thënë vetë e ëma e saj, e cila ka vdekur, me shpresë se do të ngjallet përsëri, tre vjet më parë, në moshën tetëdhjetë e tetë vjet, si e krishterë besnike, pa mëkate dhe pa ndonjë pasuri, për shkak të zjarrit që i ra më 1849-ën, i cili i dogji çdo gjë që kish në këtë botë.

Po e tillë është jeta. Le të marrim mësim nga kjo ngjarje e trishtuar dhe të përpiqemi ta bindim veten që, kur të na vijë vdekja, të vdesim. Le të vëmë dorën në zemër, dhe të themi çiltazi se, që sot e tutje, do të ruhemi nga pijet alkoolike.
Botimi i parë i gazetës "Kalifornezi".


Kur erdhi kryeredaktori dhe këndoi këtë lajm, shkundi leshtë e kokës, vinte rrotull duke qëlluar mobiliet me shqelm dhe s'më la gjë pa thënë. Më tha se sa herë më lë përgjegjësinë e gazetës, qoftë edhe për gjysmë ore, unë dorëzohem përpara çdo fëmije ose çdo idioti që më zë rrugën.

Më qortoi se lajmi i fatkeqësisë së z. Blok, nuk është gjë tjetër veçse një gjepur e trishtuar, dhe s'ka as qëllim, as kuptim, as lajm dhe prandaj s'kishte qenë nevoja aspak, të pengoja shtypjen e gazetës për të botuar atë.


E tërë kjo më ndodhi ngaqë jam zemërmirë. Po të isha aq i pasjellshëm dhe i çinteresuar sa shumë të tjerë, do t'i kisha thënë z. Blok se nuk mund ta pranoja këtë lajm në një orë kaq të vonshme: po unë nuk e bëra këtë, sepse fatkeqësia e tij më preku në zemër dhe u tregova i gatshëm për të bërë diçka që t'ia lehtësoja vuajtjen.

Unë nuk e lexova fare lajmin për të parë se mos kishte ndonjë gabim, por shkrova me nxitim disa radhë si hyrje, dhe e dërgova në shtyp. Po ç'më solli zemërmirësia ime? Asgjë tjetër, veçse një tufan të tërë me qortime dhe sharje.


Tani do ta lëçit vetë këtë lajm dhe të shikoj në ka arsye për gjithë këtë zhurmë. Në rast se ka, do t'i qëndis një letër autorit të saj....
E lëçita dhe jam i detyruar të pranoj se, në pamjen e parë, duket pakëz i ngatërruar. Megjithatë, do ta lexoj edhe një herë...


E këndova përsëri dhe m'u duk akoma më i ngatërruar...
E lexova më tepër se pesë herë dhe sikur t'i gjeja ndonjë farë kuptimi, do të sulesha për të marrë hakë. Po ai nuk zbërthehej.

Aty ka gjëra që unë s'i marr vesh fare. Ai nuk thotë asgjë se ç'i ngjau Uiliam Shulerit. Sa fillon të flasë për jetën e tij, e lë mënjanë. Cili është Uiliam Shuleri, në cilën pjesë të Sauth-Parkut banon dhe në rast se u nis për në qendrën e qytetit në orën gjashtë, a mbërriti atje?

Dhe në rast se mbërriti, ç'i ndodhi? Këtij i ndodhi vallë fatkeqësia e trishtuar? Duke marrë parasysh hollësitë e tjera që përmbante lajmi, më duket se duhej të kishte diçka më tepër për këtë. Po përkundrazi, ai është i errët, - dhe jo vetëm i errët, po krejtësisht i pakuptueshëm.

A ishte këmba e thyer e z. Shuler pesëmbëdhjetë vjet më parë "fatkeqësia e trishtuar", që e kishe pikëlluar aq tepër z. Blok dhe që e shtyri të vijë tek unë në mes të natës dhe të pengonte shtypjen e gazetës për t'i dhënë botës atë lajm? Apo mos ishte "fatkeqësia e trishtuar" shkatërrimi i pasurisë së vjehrrës së z. Shuler qëmoti, nga zjarri?

Apo ishte vdekja e atij personit, tre vjet më parë? (megjithëse ajo nuk ka vdekur nga ndonjë aksident). Me pak fjalë, ku qëndron "fatkeqësia e trishtuar"? Përse i doli përpara ai gomar Shuleri atij gomari të çakërdisur, duke thirrur e duke u përpjekur ta ndalonte?

Dhe nga ç'gjë duhet të marrim mësim? Dhe mbi të gjitha, çka të bëjë pija alkoolike në këtë çështje. Aty nuk thuhet se Shuleri ishte dehur, apo e shoqja kishte pirë, apo e vjehrra qe bërë tapë, apo kali ish bërë xurxull, pra, si mund të lidhet fatkeqësia me pijet alkoolike?

Mua më duket se në rast se vetë z. Blok nuk do të lidhej drejtpërsëdrejti me pijet alkoolike, atëherë nuk do t'i kishte vajtur mendja kurrë tek një fatkeqësi e pangjarë. E këndova këtë lajm të çakërdisur shumë herë, gjersa m'u bë koka dhallë, po nuk ia gjeta dot as anën, as fundin.

Duket që ka ndodhur një farë aksidenti, po nuk është e mundur të përcaktohet se çfarë ka ngjarë, ose kush e ka pësuar. Jo se më pëlqen, po jam i detyruar që, në rast se ndonjë shoku të Blokes i ndodh ndonjë gjë e tillë, herë tjetër, do të kërkoj kaq shumë shënime shpjegonjëse, sa ta marr vesh menjëherë se çfarë ka ndodhur dhe cili e ka pësuar.

Do të dëshiroja më mirë t'i përcillja për në botën tjetër, të gjithë shokët e Blokes se sa ta shpija veten në prag të marrëzisë, duke u përpjekur të deshifroj kuptimin e një lajmi tjetër si ky.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›