E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqtrajtohet 15-vjeçari, ndëshkohen 7 punonjës policie

APELI/ Vendimi u mor pas inspektimit të kryer nga Avokati i Popullit i cili tha se mbi të miturit ishte ushtruar dhunë

TIRANË - Shtatë punonjës policie të komisariatit të Dibrës janë ndëshkuar nga Drejtori i Përgjithshëm pas plagosjes së një 15-vjeçari të shoqëruar me dyshimin si i përfshirë në një vjedhje.

Ai u hodh nga kati i tretë i komisariatit drejt në oborrin e tij, duke mbetur i plagosur, pasi pësoi fraktura dhe thyerje të gjymtyrëve. Ndëshkimet ndaj punonjësve të policisë së Dibrës janë bërë publike dje nga kryepolici Ahmet Prençi në një konferencë shtypi me Avokatin e Popullit Ermir Dobjani.

Ndaj punonjësve të policisë Pavlin Zhivani dhe Admir Trupja është marrë masa e pezullimit pa pagesë për 30 ditë; ndaj punonjësve Xhezair Hoxha, Sinan Merdini dhe Fatmir Ndreu është dhënë masa disiplinore e shtyrjes së afatit të gradimit për 12 muaj.

Gjithashtu edhe ndaj shefit të Komisariatit të Policisë Dibër, kryekomisar Aledin Omuri, si dhe ndaj zv.drejtorit për hetimin e krimeve në Drejtorinë e Policisë të Qarkut të Dibrës ka filluar ecuria disiplinore.

"Në rast se ne, media apo institucione të tjera konstatojmë shkelje të këtyre të drejtave, garantoj se do të marrim masa disiplinore ndaj çdo punonjësi policie, qoftë në rolin bazë ashtu edhe në rolet drejtuese",- deklaroi kreu i policisë gjatë fjalës së tij për këtë çështje. Vetë familjarët e minorenit akuzuan policinë për këtë ngjarje. Sipas tyre, ndaj adoleshentit është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike gjatë shoqërimit të tij në komisariat.

Ka qenë kjo dhunë që ka detyruar adoleshentin të hidhet nga dritarja, pretendojnë familjarët e 15-vjeçarit, të cilët shqetësimin e tyre e ngritën dhe tek Avokati i Popullit. Ky institucion dërgoi një grup ekspertësh në komisariatin e Qarkut të Dibrës për të hetuar rrethanat e ngjarjes.

Ekspertët dolën në përfundimin se punonjësit e policisë kishin shkelur ligjin duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj adoleshentit dhe duke e kërcënuar me futje në burg. "Nga hetimi i këtij rasti është konstatuar se edhe nga punonjësit e tjerë të policisë në Peshkopi është shkelur ligji për Policinë e Shtetit.

Janë kryer disa shkelje ligjore dhe administrative lidhur me të drejtat dhe detyrimet e punonjësve të policisë për shoqërimin dhe pyetjen e shtetasve në polici, si dhe regjistrimin e tyre në librin e personave të shoqëruar",- u shpreh Avokati i Popullit Ermir Dobjani.

Për këtë ngjarje, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Prençit që ngjarja të analizohet dhe të merren masa ndaj punonjësve të policisë që kanë kryer shkelje. Në rekomandimin e Avokatit të Popullit për këtë ngjarje thuhet se ky rast duhet të përgjithësohet me të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit, me qëllim që të mos përsëriten në të ardhmen.

Ngjarja e ndodhur në komisariatin e Dibrës po hetohet dhe nga prokuroria e këtij rrethi, e cila pritet të zbardhë të plotë ngjarjen e ndodhur në ambientet e komisariatit.


Masat e marra ndaj punonjësve të policisë


1- Komisar Pavlin Zhivani, me detyrë shefi i Seksionit të Parandalimit të Krimit dhe Policimit në Komunitet në komisariatin e policisë Dibër pezullohet pa pagesë për 30 ditë".
2- Nënkomisar Admir Trupja, me detyrë specialist për hetimin e krimeve të lehta, në komisariatin e policisë Dibër merr masën disiplinore "pezullim pa pagesë për 30 ditë".
3- Komisar Xhezair Hoxha, me detyrë shefi i Seksionit të Rendit dhe Sigurimit të Objekteve në komisariatin e policisë Dibër merr masë disiplinore "shtyrje e afatit të gradimit për 12 muaj".
4- Kryeinspektorët Sinan Merdini dhe Fatmir Ndreu, me detyrë përgjegjës grupi në Seksionin e Rendit dhe Sigurimit të Objekteve në komisariatin e policisë Dibër marrin masë disiplinore "shtyrja e afatit të gradimit për 12 muaj".
5- Ndaj drejtuesit Fran Rica me detyrë zv.drejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër dhe kryekomisarit Aledin Omuri, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Dibër ka filluar ecuria disiplinore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›