E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mënyrat sesi do të luftojmë papunësinë

Kreu socialist ka akuzuar Berishën se do të gënjejë shkodranët, si vlonjatët, për centralin bërthamor

SHKODËR - Shkodra dhe Malësia e Madhe kanë qenë ndalesat e turit të Kryetarit të PS-së, Edi Rama, gjatë së martës. Në takimin e zhvilluar para shkollës së mesme të përgjithshme "28 Nëntori", Rama ka shpalosur programin e PS-së.

Rama, duke folur përpara shkodranëve, theksoi se Sali Berisha e ka thyer besimin e popullit të Shkodrës me fantazmën e centralit bërthamor. Ideja e ndërtimit të një centrali bërthamor në Shkodër, është quajtur nga kreu socialist "një ide marroqe".

Duke bërë një krahasim me Vlorën, Rama u shpreh se, Berisha, edhe në Vlorë premtoi se nuk do ta ndërtonte TEC-in, por më pas i rrahu me polici qytetarët e Vlorës.

"Ai përfaqëson politikën e vjetër, e cila premton gjithçka vetëm për të marrë votat dhe kur e di mirë se as nuk i shkon në mendje se do t'i bëjë ato që premton",- tha Rama.

Ai vijoi se, në 18 muaj që ka lëvizur në të gjithë Shqipërinë, ka marrë mendimet e njerëzve për të parë nga afër nevojat e tyre dhe për të kuptuar se ç'u mungon dhe për të hartuar programin e qeverisjes së ardhshme. Kreu socialist deklaroi se është hera e para në 18 vjet që punohet me plane konkrete për realizimin e ndryshimeve.

Lidhur me shtatë drejtimet kryesore të programit të PS-së, Rama u ndal tek çështjet sociale dhe reforma për eliminimin e varfërisë. "Ne do ta nxjerrim vendin nga kthetrat e varfërisë, ku janë me dhjetëra mijëra familje, duke e kthyer programin e ndihmës ekonomike në një fond të integrimit social.

Do të kalojmë nga lëmosha paralizuese për familjet e varfra, te pagesat nxitëse për punë në komunitet dhe aktivitet prodhues. Pagesa e papunësisë të paktën do të dyfishohet", - tha me tej Rama.

Punësimi, sipas Ramës, do të jetë për qeverisjen socialiste kryefjala e të gjitha përpjekjeve, për të bërë të mundur që çdo njeriu të papunë t'i jepet mundësia për të punuar.

Dhe kjo, sipas Ramës, do të bëhet e mundur që të arrihet nëpërmjet arsimimit, nxitjes së sipërmarrjes prodhuese, mbështetjes së ekonomive në fshat dhe turizmit. Në takim foli edhe deputeti Arben Malaj, i cili theksoi se shëndetësia do të jetë përparësi e PS-së në mandatin e saj pas 28 qershorit.

Sipas Malajt, 1/5 e popullsisë ka nevojë për shërbim shëndetësor dhe socialistët do të sigurojnë jo vetëm mbulimin e çdo zone me infermierë dhe mjekë, por dhe pajisje e aparatura. Malaj ka premtuar dhe përmirësimin e shërbimit farmaceutik.

----------------------------------------------------------------------------------------------

Pronat në Ujë të Ftohtë, reagojnë forcat e majta


VLORË - Forcat politike të majta kanë reaguar në lidhje me konfliktin e pronave në zonën e Ujit të Ftohtë, ku dy ditë më parë, ky konflikt ka degjeneruar deri në përplasje fizike mes familjarëve dhe Gardës së Republikës, së bashku me policinë. Erion Veliaj, i cili është gjendur në terren së bashku me familjarët, është shprehur se, një shtet, i cili ka hyrë në NATO, nuk mund të pushtojë tokën e një qytetari, i cili ka dokumentet e rregullta.

Nga ana e LSI-së ka dalë zv.sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Besjan Pesha, i cili është përqendruar te dokumentacionet e familjarëve që, sipas tij, janë të rregullta, duke treguar dhe detaje të hartës së pronësisë, e cila është mbivendosur.

Eltar Deda, kreu i Partisë Socialiste për qytetin e Vlorës është shprehur se përveç faktit që po i dhunon pronën qytetarëve të saj, qeveria po ndërton një mur të paligjshëm, si dhe rikonstrukton një rezidencë që familjarët e Kryeministrit të pushojnë, të gjitha këto punime të bëra nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Deda ka shtuar se, në qeverinë e Partisë Socialiste, çdo qytetar do ta ketë pronën e tij të mbrojtur, dhe jo t'i zaptohet padrejtësisht. Sipas Dedës, muri i cili po ndërtohet nuk ka lejen e KRRT-së së Bashkisë së Vlorës, ndërsa gjendja e krijuar dhe konflikti janë shkaktuar nga vetë qeverisja e tanishme.

Aktualisht pronarët kanë vijuar të protestojnë edhe ditën e djeshme. Ata thanë se do të jemi të vendosur deri në vdekje për të mbrojtur pronat e tyre dhe të drejtën që u takon me ligj, duke mos hequr aspak dorë, as në kushtet e dhunës që po ushtrohet mbi ta.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›