E Diel, 1 Nëntor 2026

Lajmi/Berisha mban premtimin, firmos rritjen e pagës minimale me 11.3%

06-07-2013 / Gazeta 55

Rroga minimale krahasuar me vitin 2006, rritet me 110%. Pas pesë ditësh Qeveria merr vendimin për rritjen e përgjithshme të pagave dhe pensioneve 

Dy ditë pas vendimit të marrë nga qeveria, kryeministri Sali Berisha firmosi dje rritjen e pagës minimale. Kjo rritje bashkë me heqjen e taksave për të ardhurat për rrogat deri në 30 mijë lek arrin tashmë në 11.3%. Kryeministri ka dashur ta ndajë firmosjen e këtij vendimi nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Ai shkruan se kjo është rritja e madhe e të gjithë e rrogave të ulëta. “Të dashur miq, sot firmosa vendimin për rritjen e rrogës minimale me 11.3 %. Kjo është rritja e madhe e të gjithë e rrogave të ulëta. Me këtë vendim rroga minimale në Shqipëri, krahasuar me fillimin e vitit 2006, rriten me 110 %. Në mbajmë premtimet!”- përfundon mesazhi i kryeministrit Berisha. Sipas vendimit te qeverise, paga minimale pëson rritje në sektorin shtetëror dhe atë privat. Vendimi përcakton se paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 22 000 lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik. Kryeministri Sali Berisha tha në mbledhjen e Qeveris, pas miratimit të vendimit se interesin më të madh e kanë punonjësit në sistemin privat, sepse në përputhje me konventën 26 të Organizatës Botërore të Punës, kjo rrogë bëhet e detyrueshme për të gjithë punëdhënësit, shtet dhe privat. Rroga minimale në çdo vend përbën një detyrim ligjor për të gjithë. “Në këtë rast përfitues nuk janë 1 për qind e rrogëtarëve, por një përqindje shumë më e lartë, pasi përfshihet edhe sektori privat që është i detyruar ta ndjekë këtë vendim”, tha kryeministri në mbledhjen e fundit të qeverisë. Vendimi ka edhe një rëndësi tjetër, pasi në një mënyrë përmirësohet raporti i pagave brenda piramidës së administratës. Një vendim tjetër që pritet të merret pas pak ditësh është edhe rritja e përgjithshme e pagave dhe pensioneve, ne 4 deri në 5 %. Rritjen më të lartë do ta përfitojnë pagat minimale dhe të gjitha kategoritë e pensioneve. Pagat e ulëta do rriten 5% ndërsa pagat mesatare 2-3%. Efekti finaciar i rritjes së pagave në buxhet është 1 miliardë lekë ndërsa i pensioneve 1.5 miliardë. Vendimi hyn në fuqi më 15 korrik, ndërkohë që shtesa e pagës dhe pensionit do të merret për të gjithë muajin korrik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›