Lajmi/Edhe Araniti e Zylyftari bëhen gati të çojnë në Kushtetuese ankesën për Ligjin e Dosjeve
TIRANE - Dy pleqtë vetmitarë me emrat Zylyftar dhe Aranit, që i sheh çdo ditë teksa bredhin me qeset me lëpjetë e qepë fshati, kanë vendosur të mbrojnë “të vërtetën”.
Pasi kanë mësuar se nivele poshtë tyre kanë bërë kërkesa ankimore pranë Gjykatës Kushtetuese, për shfuqizimin e ligjit të pastërtisë së figurave, ata janë ndier të fyer që u ka kapërcyer radha e tani atyre u duhet të jenë të katërtit në kërkesën për shfuqizimin e tij.
“Diktaturë dhe krime nuk ka pasur në Shqipëri” - hidhet Araniti, “kemi zbatuar vetëm ligjin”.
“Edhe shoku Enver ishte njeri i të drejtave të njeriut” - ia pret shoku Zylo.
“Po mirë pse Partia e Punës (sot Partia e Socialiste) të bëjë ankim pranë gjykatës? Pse “komitetasit helsinkorë” që në rastin më të mirë janë bij ose bija të ustallarëve të organeve të përbrëndshme të bëjnë ankim pranë gjykatës? Pse këta prokurorët e vegjël të asaj kohe të ankohen?”.
Me të tilla mendime Araniti dhe Zylua morën kartën dhe nisën të shkruajnë me një makinë të vjetër shkrimi, e lënë me dëshirë në shtëpinë e Aranitit, që nga dita kur iu mor nga shtëpia një “reaksionari”, i cili u plas brenda si “armik të popullit”, sepse me të kishin realizuar shumë arrestime të bukura.
Këtu ndërhyri Zylua, i cili tha se brendinë e shkruante ai, meqë i njihte disa nga ata të Kushtetueses. “Të jetë për ata, i njoh edhe unë, se kam punuar goxha në këto aparate” - u hodh Araniti.
Epo mirë, të dy ia nisën të shkruajnë e të hedhin në kartën e vjetër e nostalgjike nga ato që prodhonte letra e Kavajës, tekstin e kërkesës për anti-kushtetueshmërinë e ligjit të dosjeve.
“Tani do të na shohin” - u krekos Zylua.
“Në Shqipëri nuk ka pasur diktaturë, as krime, por vetëm zbatim të ligjit” - ia ktheu i emocionuar e i përlotur Araniti, teksa përkundte nëpër mend një varg poetik për “komandantit legjendar”.