Presidenti Barak Obama planifikon vizitë zyrtare në Shqipërinë ose Kroaci, pas samitit të muajit prill
Nuk përjashtohet edhe mundësia e ftesës për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për kryeministrin shqiptar dhe atë kroat
TIRANE - Pas punimeve të samitit të 60 të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që mbahet këtë pranverë në Strasburg dhe Këln, ku pritet të hyjë në fuqi vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama, pritet të zhvillojë një vizitë në Tiranë dhe Zagreb.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kroate, të cilat i referohen burimeve të afërta në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas të dhënave më datën tre dhe katër Obama do të takojë liderët e vendeve anëtare të NATO-s që me futjen e Shqipërisë dhe Kroacisë festojnë 60-vjetorin e themelimit të organizatës. Menjëherë më pas, thotë “Javno” Obama do të kalojë disa orë ose në Shqipëri ose në Kroaci.
Vizita e Presidentit Barak Obama, i sapo emëruar në detyrë do të jetë e para në këtë rajon. Ndalesa e tij e mundshme në Zagreb dhe Tiranë do të jetë një shenjë e fuqishme mbështetje, ndaj këtyre dy vendeve që në muajin prill do të bëhen anëtare fuqiplota të aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo vizitë do të vulosë edhe vlerësimet jo vetëm të Uashingtonit por edhe NATO-s për arritjet e vendit tonë dhe Kroacisë në përmbushejn e reformave. Vlerësimet për këto të fundit i dha vetë personalisht ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush në një vizitë historike në qershor të 2007, gjatë takimit me kryeministrin Berisha, ku edhe u mor garancia.
Megjithatë gazeta “Javno” dhe “Jutarnji List” thonë se nëse për ndonjë arsye organizative, nuk arrihet dot realizimi i kësaj vizite me përmasa historike, kryeministri Sali Berisha dhe ai kroat Ivo Sanader do të marrin ftesa të veçanta nga Presidenti Obama për të vizituar e takuar kreun e Shtëpisë së Bardhë.