E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lajthit” Ministria e Mbrojtjes, fshihet pas firmës fantazmë



Ministria Shqiptare e Mbrojtjes ka bërë dje një prononcim të papritur duke “larë” hesapet me skandalin e fishekëve. Për ta bërë këtë gjë kjo ministri ka zgjedhur mënyrën më spektakolare duke dashur të justifikojë futjen e firmës “EVDIN ltd” mes saj dhe kompanisë “AEY”.
“Kompanitë “AEY” dhe “EVDIN” kanë kërkuar nëpërmjet një shkrese drejtuar “MEICO”-s, municione të kalibrave të vegjël me origjinë dhe vite të ndryshme prodhimi, shoqëruar me dokumentacionin ligjor përkatës. Kompania “EVDIN” ka pasur autorizim nga kompania “AEY”, e cila nga ana e saj ishte e pajisur me certifikatën e përdoruesit të fundit (end-user certificate). Ndërmarrja “MEICO” i ka ofruar kompanisë “EVDIN” materialet e kërkuara duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18.04.2007. Kontrata e lidhur midis ndërmarrjes “MEICO” si shitës dhe kompanisë “EVDIN” për “AEY”-në më datë 18.05.2007 përmban vitin e prodhimit të municioneve. Në këtë kontratë, në artikullin cilësia thuhet se malli shitet ashtu siç është dhe blerësi ka të drejtën e kontrollit dhe provës ndaj tij duke kryer inspektime. Në lejen e eksportit të nxjerrë nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes më datë 20.4.2007, janë specifikuar destinacioni, blerësi, tipat e municioneve që do të eksportoheshin, sasitë e tyre dhe vitet e prodhimit korresponduese. Kompania “AEY” lid, më datë 27.11.2007 ka deklaruar se kontrata e lidhur me ndërmarrjen “MEICO” për shitjen e municioneve është ekzekutuar në mënyrë krejt të rregullt”, - thekson Ministria e Mbrojtjes. Por ndonëse futja e firmës “AEY” u denoncua me kohë te ish-ministri Mediu nga biznesmeni Trebicka, Ministria duket se nuk e ka marrë parasysh këtë fakt. Por një tjetër fakt që kjo ministri nuk mund të mbulojë dot asnjëherë lidhet me rritjen e çmimit. Nëse “EVDIN ltd” (pavarësisht se ishte totalisht fantazmë) ishte thjesht një përfaqësuese e nënkontraktuar nga firma “AEY”, si mundi ta rrisë çmimin e fishekëve nga 22 dollarë për 1000 fishekë në 40 dollarë. Si ka mundësi që “EVDIN ltd” të përfitonte gati gjysmën e shumës që ishte në lojë, kur në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse një “vasale” e “AEY”-së? Do të mjaftonte vetëm investigimi i rritjes së çmimit për të dalë në pah roli i vërtetë i firmës “EVDIN ltd” dhe i pronarëve të saj të vërtetë.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›