E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori amerikan, i implikuar në trafikun e fishekëve

Zbardhet raporti i kongresmenëve demokratë për firmën e Diverolit. Atasheu ushtarak i Ambasadës rrëfen takimin me Fatmir Mediun

Habjon Hasan
Vetëm një ditë para fillimit të seancës hetimore ndaj firmës “AEY” në Kongresin Amerikan, skandali ka marrë një zhvillim të paparë dhe epiqendra kësaj here është bërë ambasadori amerikan në Shqipëri. Ai dyshohet se jo vetëm ka pasur dijeni për ripaketimin e fishekëve kinezë, por ka pranuar dhe fshehjen e skandalit kur ministri Mediu e ka njoftuar për investigimin që po kryente gazeta ”The New York Times”. Gjithçka është bërë e ditur dje nga Komiteti Demokrat në SHBA, që inicioi investigimin e kontratës ndërmjet “AEY” dhe Pentagonit. Kongresmeni demokrat, Henri Uaksman, i ka dërguar dje një letër prej 10 faqesh sekretares së Shtetit për Marrëdhëniet me Jashtë, znj. Kondoleza Rajs, me konkluzionet paraprake të raportit. Sipas kongresmenit Uaksman, ka qenë dëshmia e shefit të Zyrës për Bashkëpunimin Ushtarak në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, Leri Herrison, që ka zbuluar implikimin e ambasadorit të SHBA-ve në këtë aferë. ”Albania” kontaktoi mbrëmë me zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, të cilët konfirmuan se ishin në dijeni të këtij raporti, duke shtuar se mund të ketë edhe një qëndrim për këtë çështje. Në raport kongresmeni Uaksman artikulon qartazi implikimin e ambasadorit amerikan dhe të disa zyrtarëve të kësaj ambasade në Shqipëri. ”Komiteti ka marrë informacion se ambasadori amerikan ka zhvilluar një takim natën vonë me ministrin shqiptar, Fatmir Mediu, nga ku më pas ambasadori aprovoi zhvendosjen e municioneve ilegale me origjinë kineze. Komiteti ka marrë gjithashtu informacion se zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk e vunë në dijeni Komitetin lidhur me këtë takim”, - shkruhet ndër të tjera në letrën që kongresmeni Uaksman i ka dërguar sekretares Kondoleza Rajs.
Letra
Në letrën që kongresmeni Uaksman i ka dërguar znj. Rajs përshkruhen rezultatet kryesore të hetimit, ku natyrisht pjesën më të rëndësishme e zë roli i ambasadorit amerikan në Tiranë. Pikërisht ky fakt është theksuar dhe në konkluzionet paraprake të hetimeve të deritanishme, të cilat ”Albania” i paraqet të plota, sikurse i ka shkruar Komiteti Demokrat, që ka ndërmarrë hetimin e kontratës së firmës “AEY” me Pentagonin. Kongresmeni Uaksman i ka mëshuar në letër dhe faktit që zyrtarët e Ambasadës Amerikane nuk e vunë Komitetin në dijeni të takimit mes ambasadorit amerikan dhe ministrit Mediu, duke e konsideruar këtë fakt si shumë të rëndë. Komiteti i Demokratëve kishte nisur investigimin për kontratën mes firmës “AEY” dhe Pentagonit në kohën kur Mediu ka takuar ambasadorin amerikan dhe sipas ligjeve amerikane, ky takim duhej të ishte raportuar. Por Komiteti Demokrat i ka bërë dhe një kërkesë të veçantë Departamentit të Shtetit, për t’i komunikuar Ambasadës Amerikane në Tiranë që ta vinte në dijeni këtë komitet lidhur me çdo zhvillim që ka lidhje me objektin e hetimit të tyre. Kjo gjë nuk ndodhi sipas kongresmenit Uaksman. Fill pas botimit të artikullit në ”The New York Times” Komiteti kërkoi edhe dëshminë e Efraim Diverolit, por për arsye të panjohura marrja në pyetje e Diverolit u la për më vonë.
Paralajmërimi
Jo më larg se dy ditë më parë ”Albania” ka publikuar një deklaratë të Uaksman dhënë për prestigjiozen “New York Times”, ku ai shprehte dyshimet e tij lidhur me këtë çështje. Kongresmeni i fuqishëm demokrat, Henri Uaksman, ka deklaruar se arrestimi i krerëve të “AEY”-së ishte një zhvillim shumë domethënës. Por kongresmeni i mirënjohur amerikan ka lënë të kuptohet se pas ”Diverolëve të arrestuar” mund të fshihen aktorë më të fuqishëm, kur ka deklaruar se ”sa më shumë fakte mësojmë për firmën ‘AEY’, aq më shumë pyetje na lindin”. Drejtimi i hetimeve të Komitetit Demokrat nga Henri Uaksman është një detaj jo pak i rëndësishëm nëse i referohesh të kaluarës së Uaksmanit. Kongresmeni demokrat ka dhënë kontribut të veçantë në zbardhjen e shumë aferave që kanë bërë xhiron e botës, si ajo e kompanisë ”Enron”, apo skandali i burgut të ”Abu Grahib” në Irak.

REZULTATET E HETIMIT TË KOMITETIT DEMOKRAT

Në datën 9 qershor 2008 stafi i Komitetit e pyeti majorin Leri Herrison, i cili kryen detyrën e shefit të Zyrës për Bashkëpunimin Ushtarak në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Sipas major Harisonit:

- Më 19 nëntor të vitit 2007 ambasadori Amerikan në Shqipëri dhe ndihmësit e tij kryesorë u takuan me ministrin shqiptar të Mbrojtjes për të diskutuar për mënyrën se si do t’i përgjigjeshin një kërkese të bërë nga ”The New York Times” për të vizituar vendndodhjen në të cilën kontraktori i Ushtrisë amerikane, “AEY”, po u ndryshonte ambalazhin municioneve kineze përpara se t’i çonte në Afganistan.

- Si rezultat i këtij diskutimi, që përfundoi natën vonë, ministri shqiptar i Mbrojtjes urdhëroi një nga gjeneralët e tij kryesorë për t’i zhvendosur të gjitha municionet kineze të riambalazhuara përpara se vendndodhja të inspektohej një ditë më vonë. Majori Herrison i tha Komitetit: ”Ambasadori e aprovoi këtë si një ndërhyrje që do të zbehte dyshimet lidhur me atë që ndodhte në të vërtetë”.

- Në kohën e këtij takimi firma “AEY” ishte nën hetim për trafikim të paligjshëm të armëve kineze. Major Herrison i tha Komitetit se ai nuk ishte dakord me vendimin për zhvendosjen e municionit kinez dhe u shpreh se ishte ndjerë ”tejet i sikletosur” gjatë këtij takimi.

- Për më tepër, duket se zyrtarët e Ambasadës nuk ia kanë vënë në dispozicion Komitetit këto informacione. Komiteti i ka kërkuar me kohë Departamentit të Shtetit të vinte në dispozicion çdo të dhënë dhe informacion në lidhje me takimet mes zyrtarëve të Ambasadës dhe atyre të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë që kanë lidhje me ripaketimin e municioneve kineze. Për më tepër, majori Leri Herrison urdhëroi zyrtarët e Ambasadës të informonin Komitetin në lidhje me takimin e 19 nëntorit, por zyrtarët e Ambasadës harruan t’i referoheshin takimit në përgjigjen e tyre.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›