E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajthitje familjare nën efektin e etheve elektorale

21-05-2013 / Nga Eden Babani

Nuk e kam parë videon propagandistike që Edi Rama shfaqi para ndonjë-a-dy mijë socialistëve në Pallatin e Sportit në Vlorë. Por, edhe sikur ta kisha në shtëpi, nuk besoj se do të gjeja kohë të tepërt të harxhoja për ta parë. Me aq sa është thënë në shtyp, e marr me mend thelbin e gjithë videos, ashtu si Teze Fejzieja merrte me mend çka ndodhte në botë duke lexuar gazetën “Zëri i Popullit”. E ndjera Fejzie Kokalari, e shoqja e Vesim Kokalarit, vrarë bashkë me të vëllain, Muntazin, e dhjetë a më shumë intelektualë të tjerë gjatë Luftës së Tiranës në Hotel “Bristol”, s’linte ditë pa e blerë “Zërin”. E pabesueshme për një grua të ve, së cilës “pronari” i vetëm i “Zërit”, Enver Hoxha, i hodhi para kohe vellon e zezë. Si ke durim ta lexosh nga fillimi, në fund? - i thoshim unë dhe e bija, Karolina. Mësoj ç’bëhet e ç’lëviz brenda ose jashtë Shqipërisë, përgjigjej e vendosur që të mos hiqte dorë nga zakoni i përditshëm. Nga gazeta e Enverit? - e ngacmonim atje tek i digjte më tepër. Po, na përgjigjej me buzëqeshje e mira Teze Fejzie. I kthej përmbys këto që lexoj, dhe gjithçka e kam të qartë, si drita e diellit.
Gjithsesi, nga aq sa kam lexuar në shtyp, më kanë tërhequr vëmendjen dy a tri lajthitje, jo të Edi Ramës, se ai veç mbroçkulla që burojnë nga lajthitja po thotë gjatë gjithë kësaj fushate elektorale. As nga mbroçkullat e përditshme të Saimir Tahirit, “një nga zbulimet e Ramës në politikë”, sipas një gazetari të mbyllur në autobusin e PS-së bashkë me liderin e saj, pasi ato nuk burojnë nga lajthitja, por nga ndërgjegjja e trazuar politiko-makiaveliste. Kësaj here, lajthitjet, që të mos them mbroçkullat, janë familjare. Na i ofruan e shoqja dhe e ëma e zotit Rama.
E shoqja, zonja Linda, ka treguar përmes videos propagandistike se si e ka përjetuar ajo dhe gjithë familja një plan për eliminimin fizik të Ramës, në 2011-ën. Sipas saj “Edi u njoftua nga një agjenci serioze se kishte një plan për asgjësimin e tij fizik”. Nuk e vë në dyshim të ketë ekzistuar ndonjë plan kësisoj, ndonëse zonja s’na thotë cila “agjenci serioze” e ka zbuluar. Nuk e vë në dyshim as shqetësimin e saj dhe të të gjithë familjes. S’i thonë shaka, por jetë, madje një jetë relativisht e re, tepër e re, pa i mbushur të pesëdhjetat. Mirëpo, ajo s’ua nxjerr kokën motiveve për të cilat do të kryhej ndaj të shoqit ky akt fund e krye terrorist. Bash këtu, te thënia e gjërave në formë rebusi, fshihet edhe çelësi për zbërthimin e tij (të rebusit). Me bindje, unë përjashtoj çdo motiv të mundshëm politik, siç mund të kuptohet kjo zbardhje e papritur kujtimesh, mu në kulmin e fushatës elektorale dhe  qind-për-qind për përfitime politike. Çdo shqiptar, brenda ose jashtë kufijve tanë shtetërorë, është dëshmitar i një të vërtete të pamohueshme, që zor se lë shteg për dyshime. Qysh prej vitit 1998, me vrasjen e Azem Hajdarit, jo vetëm që në Shqipëri s’ka ndodhur ndonjë vrasje për motive politike, por edhe kur ndokush ka tentuar të ngrejë dyshime, drejtësia ka vërtetuar se vrasjet janë bërë për motive ordinere. Që mund të ketë pasur motive të tjera të dobëta, për këtë, nuk e vë dot dorën në zjarr, duke mbajtur parasysh se shtypi i përditshëm e ka lakuar jashtë mase emrin e zotit Rama për përfshirje në afera të dyshimta lidhur me çështje pronash, ndërsa ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Dhe, siç dihet, ashtu siç janë koklavitur çështjet e pronave, nuk përjashtohen vetëgjyqësitë, në çdo rast të papranueshme. Përse, pra, një grua tepër e mençur dhe serioze - siç thonë, sepse unë as e njoh as e kam njohur zonjën Linda - merr përsipër ta vërë veten në pozita qesharake me lajthitje kësisoj? Për propagandë në favor të të shoqit? Ky arsyetim nuk ngjit kurrkund, pasi propaganda e gruas për burrin ose e burrit për gruan, s’ka bazë besueshmërie, bajatoset qysh në krye të herës dhe bën efekt të kundërt. Arsyetimi i vetëm, sipas meje, do të ishte të krijohej njëfarësoj tymnaje për të tensionuar  situatën në sinkron me kërcënimet e Edi Ramës, me qëllim nxitjen e pasigurisë dhe të  pabesueshmërisë për zgjedhje të qeta e të ndershme. Mirëpo tashti, në kulmin e fushatës zgjedhore, shqiptarët kanë nevojë të njohin programe alternative për qeverisjen e ardhshme të vendit, çka Rama as është i zoti, as ka dëshirë ta bëjë, siç po e bën me sukses rivali i tij, Kryeminstri Berisha. Përndryshe, cili është ai që ka nge të kalojë kohën me përralla që burojnë nga egoja e çdokujt që synon godinën e Kryeministrisë i frymëzuar nga mitomania, në mos nga shtysa të dyshimta?
E dyta çka më ka befasuar, ngase s’e prisja, ishte rrëfenja e nënës për këmbënguljen e të birit që t’u shkojë gjërave deri në fund. Sipas shtypit, nëna ka treguar sesi i biri, asohere adoleshent, paska marrë një të diel kavaletën, furçën dhe bojërat e paska shkuar nga Liqeni, për tê pikturuar. Deri këtu, s’ka asgjë të çuditshme. Çdo nënë dhe çdo baba ka kujtimet e veta për fëmijërinë e të birit a të së bijës. Unë, si prind, gjithashtu, ruaj dhjetëra, në mos  qindra kujtime për djemtë e mi, Metin e Lilin. Madje i tregoj me pasion sa herë më jepet rasti. Po ç’t’i them Anetës, e cila më befasoi me arsyetimin e saj që kurrsesi nuk i shkon përshtat?
I kërkoj leje dhe njëherësh të falur Aneta Kolekës ta thërras pa epitetet “shoqe” ose “zonjë”, por ashtu siç e kam pas thirrur pesëdhjetë e kusur vjet përpara, në Skelën e viteve 1960, kur ishim fqinjë e përshëndeteshim miqësisht në rrugët e lagjes sonë ose te plazhi, për të cilin Edi, me të drejtë, ka nostalgji. Shtoj se ruaj të njëjtën konsideratë e respekt që kam pasur pêr Anetën asohere, pa as më të voglën lëkundje. Besoj se do të ma lejojë kaq gjë për hir të atyre viteve kur njohja e fqinjësia, në mos miqësia, nuk kushtëzoheshin nga ato çka erdhën më pas, mëritë politike, të cilat vazhdojnë të na ndjekin si mallkim sot e gjithë ditën. Ama nuk mund të bashkohem me lajthitjet e saj që s’e gjej dot ku e kanë zanafillën.
Në fund të fundit, nostalgji për vitet e rinisë kam unë, afro-tetëdhjetëvjeçari, jo Edi për fëmijërinë, për detin, për lodrat, për gjyshin e për gjyshen, siç ka edhe im bir, pak a shumë në një moshë me të. Ama unë nuk do t’ia lejoja kujt, as vetes, as tim biri që nostalgjitë, kujtimet e pastra, plot dritë e të pafajshme të përlyheshin, të baltoseshin e të keqpërdoreshin për interesa të ngushta, qofshin edhe politike. Aq më pak, në një fushatë elektorale me qëllime të mbrapshta, që synojnë t’ua grabisin vlonjatëve votën e tyre, të vetmen pasuri pa kushte që na kanë sjellë vitet pas diktaturës komuniste.
“Është këmbëngulës në punën e vet, - ka thënë Aneta në videon përkatëse (sipas shtypit, EB). - U shkon gjërave deri në fund. E ka forcën dhe vullnetin që ta çojë këtë vend përpara.” Dhe për ta vërtetuar çka ka dashur të thotë, sjell në kujtesë ditën që të birin e zuri një shi i fortë te kodrat e Liqenit dhe ai, në vend që të mbrohej për vete me çadër, mbrojti pikturën. Deri këtu, gjithçka do të ishte normale. Askush me mend në kokë nuk do ta linte veprën e vet sado modeste në mëshirën e agjentëve atmosferikë që vijnë papritur e pakujtuar. Por që të vazhdojë njeriu punën nën shi të furishëm, sikur nuk do të gdhijë e nesërmja, kjo flet për diçka që nuk shkon, për diçka që e tejkalon vullnetin e këmbënguljen, për diçka të tjetërsuar në të kundërtën.
Që Edi është këmbëngulës dhe që ka dëshirë e vullnet për t’u shkuar gjërave deri në fund, kjo është e padyshimtë, katërçipërisht e vërtetuar. Pyetja shtrohet për mirë apo për keq e ka përdorur deri sot këmbënguljen ose vullnetin e vet. Le të sjellë në vëmendje fqinja ime e dikurshme Tiranën përpara se vota e kryeqytetasve ta largonte të birin nga Bashkia dhe le ta krahasojë me sot. Gjen ndonjë ndryshim? Nëse nuk i janë errësuar sytë nga dashuria e ligjshme për të birin, kaq gjë duhet ta pohojë. Kurse, po të mos gjente forca për ta pohuar, do të bënte mirë të heshtte.
Sikur Edi i saj të arrinte të bëhej kryeministër, sidomos tashti në rivalitet të hapur me Ilir Metën, kjo do të ishte katastrofë politike për të, në radhë të parë. Ilir Meta nuk të fal për kësi punësh. Ai do t’ia tundte pa një, pa dy, kartonin e kuq dhe do ta nxirrte në pension të parakohshëm (politik), ndërsa Shqipëria do të merrte të tatëpjetën e do të katandisej më keq se Tirana përpara vitit 2011. Dy gjela të gufuar nuk mund të këndojnë mbi të njëjtin pleh.
Nga ana tjetër, koha ka vërtetuar se këmbëngulja dhe vullneti i liderit të sotëm socialist s’kanë asnjë vlerë për ta çuar Shqipërinë përpara. Përkundrazi, mjerë Vlora dhe gjithë vendi, nëse do të ndodhte e papritura. Edi dhe miku i tij, Koço Kokëdhima, do ta betonizonin bregdetin shqiptar, perlën e Adriatikut, do ta shndërronin atë në një bunker të madh, qindra-mijëra herë më të madh se bunkerët e Enver Hoxhës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›