E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora dhe paniku i kryeministrit në ikje

Fatmir Toçi deputet i PS-së

-Dje në Vlorë, ne takimin me gazetarët, Berisha mashtroi dhe nuk diti si të përgjigjet për “harresën” e madhe për investime për Vlorën, mungesën e programeve dhe fondeve për festimet e 100 – vjetorit të Pavarësisë, për pengesa në zhvillimin e turizmit dhe kthimin në tabu të detit për shumë vjet për vlonjatët e shqiptarët që preferojnë Vlorën për pushime, për shkatërrimin dhe degradimin total me bekimin e qeverisë të Pyllit të Sodës, për ndërprerjen e projektit për zgjerimin e portit, për lënien përgjysmë të punimeve në rrugën Transballkanike, për fshirjen nga çdo plan e projekt i qeverisë i rikonstruksionit të rrugës së Lumit të Vlorës, për mashtrimin e vlonjatëve se do të financonte shëtitoren buzë detit nga Skela në Ujin e Ftohtë, e plot të tjera si këto. Berisha me këtë “bashkëbisedim karizmatik”, siç ia kishin dhënë pyetjen për ta lexuar një përfaqësuesi të medias satelite të qeverisë, kërkon t’i paraprijë me publicitet mitingut për të paraqitur kandidatët e qerres së tij elektorale, i lemerisur nga pritja e paparë shpirtërore që i bëri Vlora bijve dhe bijave të saj që do ta përfaqësojnë qytetin e tyre historik në Kuvend dhe qeverisje pas 23 qershorit. Mitingun qeveritar që, si dhe çdo miting i organizuar edhe në qytetet e tjera, mbushet me militantët që e shoqërojnë Berishën me vargun e autobusëve dhe furgonëve me pagesë apo për interesat e tyre për bizneset që kanë lidhur e lulëzuar me qeverinë. Që dje pranë Selisë së Partisë Socialiste të Vlorës dhe shtabeve elektorale të deputetëve kanë ardhur më qindra denoncime të mësuesve dhe nëpunësve të tjerë të shtetit, të cilëve u është kërkuar më detyrim e përgjegjësi, deri në firmosjen e listave të hartuara nga ithtarët e PD-së së Vlorës, për të marrë pjesë në mitingun e PDsë për paraqitjen e kandidatëve. U bëjmë thirrje vlonjatëve që të mos mashtrohen nga demagogjia e Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij. E ardhmja e tyre është me Partinë Socialiste dhe të majtën shqiptare, e cila, me programin e saj do të transformojë Vlorën dhe Jugun e Shqipërisë, për t’i hapur rrugën e zhvillimit, mirëqenies dhe kthimin e dinjitetit e të njerëzve të lirë e të barabartë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›