E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka më vota për Berishën në Sarandë

Panajot Zoto /qytetar, Sarandë

-Premtimi i parë për ujë 24 orë, u bë në fushatën për zgjedhjet e korrikut 2005. Premtimi i fundit u bë në prag të zgjedhjeve në vitin 2011... Sarandjotët mbetën nën frikën e mungesës së ujit çdo sezon veror

Aktualisht gjendemi në një terren elektoral të ndezur, në një kohë ku çdo minutë dhe orë kushton, por edhe zhvlerësohet nëse nuk shfrytëzohet në dobi të qëllimit. Familja politike në pushtet ka braktisur dhe jo pak prej votuesve të djathtë, se familja politike në pushtet dhe modeli që ka ofruar kasta sunduese, duke përqendruar pushtetet, duke nxitur urrejtjen mes shqiptarësh, duke mashtruar përditshmërisht, duke sunduar përmes forcës së kartonit dhe forcës së gënjeshtrës, etj., ka ngjallur reagim te të ndershmit që kanë votuar më parë djathtas. A do votojnë ata, kjo kategori (jo militante) e njerëzve të ndershëm, e atyre që pesha e sundimit të regjimit ka rënduar simetrikisht njësoj edhe mbi ta, si te të majtët, për Partinë Socialiste? Kjo është sfida e kësaj force politike. Kjo është sfida e strukturave partiake, e çdo socialisti, e çdo njeriu të ndershëm. Në Sarandë ka një frymë anti-Berishë, ka një frymë që buron nga fakti i të ndjerit të braktisur prej qeverisë së djathtë dhe i mashtruar nga premtimet e pambajtura në vite të Sali Berishës. Kjo frymë e formësuar në vite ka mbërritur në kulmin e padurimit për gjithë ato arsye, që secili votues, çdo sarandjot, i ka ndryrë në brendësi të vetëdijes, e që gjenerojnë varfërimin e përvitshëm dhe koston e vet të jetesës. Po në mënyrë të përmbledhur mund të përmendim disa prej arsyeve pse Saranda nuk e voton Berishën më 23 qershor. Papunësia, si gjenerator i varfërisë. Shifrat zyrtare janë tepër qesharake. Sipas tyre, në çdo 100 të aftë për punë, ka vetëm 13 të papunë!? Një mashtrim i madh dhe një mungesë transparence e qëllimshme për të fshehur realitetin. Mashtrimet me fondet për investime. Nga grantet, nga financimet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nga grantet konkurruese, Saranda është qyteti (bashkia) që ka përfituar më pak. Ende nuk kanë përfunduar disa investime që kanë nisur qysh në vitin 2006 dhe kjo për mos alokim të fondeve nga buxheti. Rruga nr. 5, një aks jetik për qytetin, ka mbetur në gjysmë këtu e 4 vjet, për shkak të mos dhënies së fondeve nga qeveria. Po për këtë shkak ka mbetur në fazën e projektimit rruga nr. 6, e cila ishte planifikuar të fillonte qysh në vitin 2010. Banorët e Sarandës ndjejnë braktisjen, keqdashjen e qeverisë dhe të Sali Berishës, derisa fondet për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme, për përfundimin e rrugëve hyrëse në qytet, për përfundimin e rrugës Kardhiq- Shelegar dhe lidhjen e saj me rrugën Qafbotë- Sarandë, që do krijonte lehtësi për transportin publik dhe atë të mallrave, ende mungojnë. Sikundër është braktisur çdo investim për infrastrukturën turistike të bregut, që pamundëson shtimin e fluksit të pushuesve në Sarandë. Në katër vitet e fundit Bashkisë i janë akorduar gjithsej 55 milionë lekë fonde grant, që do të thotë 1 mijë lekë për frymë; kjo është disa herë më pak se mesatarja në shkallë vendi, që do të thotë l0 herë më pak se në vitin 2005. Qytetarët, votuesit, nuk e dinë se nga grantet e qeverisë, në vitin 2005 Saranda përfitonte 10 mijë lekë për frymë, ndërsa në vitin 2012 ka përfituar 1000 lekë për frymë. Qeveria e Sali Berishës, në sintoni me qeveritarët vendorë, kanë toleruar masakruesit urbanë për ta shpërfytyruar këtë bukuri buzë Jonit, duke betonizuar gjithçka. Nga viti 2006 në vitin 2012, në mosrespektim të vendimit të KRRTRSH-së së gushtit 2002 “për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendër të qytetit“, bashkia e PDsë, me bekimin e qeverisë së Sali Berishës, ka dhënë mbi 130 leje ndërtimi në qendër të qytetit dhe 18 leje ndërtimi në zonën arkeologjike. Premtimi i parë i kryeministrit për ujë 24 orë në 24, u bë në fushatën elektorale për zgjedhjet e korrikut 2005. Premtimi i fundit i tij për ujë të pijshëm 24 orë në 24, u bë në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor në vitin 2011. Dhe sarandjotët mbetën çdo vit nën frikën e mungesës së ujit në çezmat e tyre në çdo sezon veror. Në dy vitet e fundit, shifra e investimeve me fonde të buxhetit, kryesisht në shërbim të zhvillimit të turizmit, është zero lekë. Landfilli i premtuar vite e vite më parë, ende pret fondet e harruara, duke cenuar kësisoj avantazhet që ndikojnë drejtpërdrejt në pastrimin e qytetit nga mbetjet urbane. Ndotja e detit vazhdon, pasi ligatinat për pastrimin e ujërave të ndotura në fushën e Çukës, ende nuk janë vënë në funksion, për shkak të mospërfundimit të investimit, ndonëse duhet të përfundonin tre vite më parë. Për këto arsye dhe shumë të tjera Saranda nuk e voton më Sali Berishën. Dhe ai e di mirë këtë. Kjo është arsyeja që goja e tij nxjerr përditë llumin e fjalorit mashtrues e denigrues për kandidaturat e PS-së në këtë rreth dhe në qarkun e Vlorës. Sali Berisha ka një fobi të habitshme ndaj Koço Kokëdhimës, ndaj zbraz kundër tij gjithë arsenalin e mashtrimeve. Kjo është shenjë e impotencës politike që Sali Berisha ndjen në këtë rajon dhe qytetin e Sarandës. Përfshirja e Koço Kokëdhimës në listat e PS-së në qarkun e Vlorës dhe delegimi i tij për fushate në bashkinë e Sarandës, është një arsye më shumë pse Saranda, në shumicë, nuk do votojë njerëzit e Berishës.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›