Mbështetja e Qeverisë shqiptare për infrastrukturën e verifikimit cilësor
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Florion Mima përshëndeti konferencën e Mbylljes së Projektit të Binjakëzimit, IPA 2008 “Forcimi i Infrastrukturës Kombëtare të Metrologjisë dhe arritja e Njohjes Ndërkombëtare”. “Mbështetja e Qeverisë Shqiptare - nënvizoi gjatë fjalës së tij ministri Mima - për metrologjinë dhe më gjerë për gjithë infrastrukturën e verifikimit cilësor në vendin tonë, është tregues i përpjekjeve të vazhdueshme drejt hapjes së tregut shqiptar ndaj atij global dhe i përpjekjes për të eleminuar barrierat e dukshme dhe të padukshme, duke zbatuar dhe zgjeruar, hapësirat e përcaktuara nga marrëveshjet europiane dhe ato të tregtisë së lire”. Më tej Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Florion Mima falenderoi Bashkimin Europian “për mbështetjen e dhënë nëpërmjet këtij projekti të rëndësishëm, në zhvillimin dhe përafrimin e metrologjisë shqiptare me praktikat dhe standardet më të mira Europiane.
Fjala e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Florion Mima në Konferencën e Mbylljes së Projektit të Binjakëzimit të BE-së “Forcimi i Infrastrukturës Kombëtare të Metrologjisë dhe arritja e Njohjes Ndërkombëtare”
Është një kënaqësi e veçantë të jem i pranishëm në këtë event të organizuar mbi arritjet dhe sukseset e Projektit “Forcimi i Infrastrukturës Kombëtare të Metrologjisë dhe arritja e Njohjes Ndërkombëtare”. Më lejoni të falenderoj Bashkimin Europian për mbështetjen e dhënë nëpërmjet këtij projekti të rëndësishëm, në zhvillimin dhe përafrimin e metrologjisë shqiptare me praktikat dhe standardet më të mira Europiane. Sot, falë kësaj mbështetjeje, metrologjia shqiptare ka përmbushur një sërë objektivash strategjikë në kuadër të nenit 75 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke hedhur hapa të rëndësishëm drejt njohjes ndërkombëtare dhe duke rritur sasinë dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara për industrinë vendase. Ky aktivitet, jo rastësisht, përkon me ditën ndërkombëtare të metrologjisë, e cila feston nënshkrimin e Konventës së Metrit më 20 maj 1875, duke vendosur bazat e bashkëpunimit ndërkombëtar në shkencën e matjeve.
Ekonomia e sotme varet nga matje dhe testime të besueshme, të cilat janë të pranuara në nivel ndërkombëtar. Si rrjedhojë, një infrastrukturë metrologjike e fortë dhe e përdorur gjerësisht eshte parakusht për rrëzimin e barrierave teknike në tregti dhe lëvizjen e lirë të mallrave.
Mbështetja e Qeverisë Shqiptare për metrologjinë, dhe më gjerë për gjithë infrastrukturën e verifikimit cilësorë në vendin tonë, është tregues i përpjekjeve të vazhdueshme drejt hapjes së tregut shqiptar ndaj atij global dhe i përpjekjes për të eleminuar barrierat e dukshme dhe të padukshme, duke zbatuar dhe zgjeruar, hapësirat e përcaktuara nga marrëveshjet europiane dhe ato të tregtisë së lirë.
Matjet e sakta dhe të besueshme janë të nevojshme për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar në një treg të hapur, konkurrencë të lirë e të ndershme dhe respektimin e standardeve të produkteve e shërbimeve nga të gjithë operatorët.
Ndonëse koncepti mund të tingëllojë abstrakt, metrologjia ndikon në jetën e ç’do qytetari shqiptar, nëpërmjet organizimit të kontrollit të instrumenteve matës në tregti, mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, sigurinë teknike dhe kontrollit sasior të produkteve të parapaketuara. Për këtë janë forcuar strukturat e kontrollit metrologjik, në përmbushje të misionit të tyre të mbrojtjes së konsumatorit shqiptar. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka luajtur një rol kyç në koordinimin dhe draftimin e Strategjisë kombëtar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe qytetarëve vendas.
Si ministër i linjës, shpreh mbështetjen time ndaj këtij institucioni, duke qenë i vetëdijshëm se mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Metrologjia shkencore, industriale dhe ligjore duhet të zhvillohen vazhdimisht, me qëllim mbajtjen e ritmit me nevojat e industrisë dhe shoqërisë për të mbetur bashkëkohore dhe të dobishme. Për vetë karakterin specifik dhe teknik, metrologjia kërkon investime të vazhdueshme.
Metrologjia ka patur mbështetje të vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare dhe veçanërisht, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Investimet nga buxheti i shtetit dhe donatorë të huaj në këtë sektor, vetëm gjatë ketij mandati Qeverisës, kapin vlerën 12 milionë euro.
Objektivi i përgjithshëm i ketyre investimeve ka qenë lehtësimi i integrimit të Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare, nëpërmjet rritjes së cilësisë së produkteve shqiptare, dhe si rrjedhojë rritjes së kapaciteteve eksportuese.
Investim madhor në këtë fushë është dhe ngritja e Qendrës së re Kombëtare të Metrologjisë, e cila ka siguruar ambiente laboratorike nga më bashkëkohorët në rajon.
Ndërkohë, ky Projekt për të cilin po festojmë sot, ka dhënë një mbështetje të rëndesishme në konkretizimin e avantazheve të anëtarësimit me të drejta të plota të DPM-së në EURAMET (Organizata Europiane e Instituteve Kombëtare të Metrologjisë), në përafrimin e praktikave dhe legjislacionit të metrologjisë shqiptare me ato të vendeve anëtare të BE-së, si dhe zgjerimit të kapaciteteve laboratorike.
Dua të përgëzoj Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë për maksimalizimin e përfitimeve nga investimet e realizuara në këtë fushë dhe i uroj suksese të mëtejshme.
Në këtë drejtim, në emër të Qeverisë Shqiptare shpreh edhe një herë mirënjohjen dhe konsideratën më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë në përballimin e sfidave të integrimit europian dhe në zbatimin e reformave të nevojshme për përmbushjen e kërkesave për anëtarësim në BE.