Lakso: Jemi të shqetësuar, kriza mund të acarohet

Raportuesi finlandez i Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jako Lakso, thotë se duhet të nisë dialogu për të parandaluar acarimin e krizës politike. Ai vëren sakaq, se fyerjet që bëhen në Shqipëri nuk i ka dëgjuar kurrkund tjetër
“Fyerjet që i gjen në skenën politike shqiptare nuk i kam dëgjuar në asnjë vend tjetër europian. Mua më takon të udhëtoj në vende të ndryshme gjatë gjithë kohës, por nuk e dëgjoj kurrë gjuhën apo fyerje të tilla, si ato që i dëgjojmë në Shqipëri”, - Lakso
Këshilli i Europës thotë se do të mbështesë përpjekjet dhe rolin ndërmjetësues të presidentit Bamir Topi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Reporteri për Shqipërinë, Jako Lakso, i tha BBC-së, se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i Kuvendit të përfundojë. Sipas reporterit finlandez Lakso, gjetja e rrugës për të arritur deri këtu do të jetë sfida kryesore gjatë vizitës që një delegacion i Këshillit të Europës do të bëjë në Tiranë më 22 shkurt.
-Cili është misioni konkret i vizitës së delegacionit të Këshillit të Europës në Shqipëri?
Jako Lakso: “Misioni ynë ka të bëjë me krizën politike në Shqipëri. Ne po përpiqemi të japim ndihmesën tonë për të inkurajuar fillimin e dialogut politik midis palëve kryesore, si dhe për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me çështjen e bojkotimit të Kuvendit. çdo deputet që është zgjedhur, mund dhe duhet të japë kontributin e tij në Kuvend.”
-Si mendoni se mund të ndodhë kjo? Ju po thoni se thjesht do të ofroni ndihmë që palët të arrijnë një zgjidhje, por kjo krizë vazhdon prej disa muajsh dhe palët nuk kanë treguar ndonjë shenjë se janë pranë kësaj zgjidhjeje.
“Po, kriza politike po vazhdon dhe ne jemi të shqetësuar se kjo krizë politike mund të acarohet. Objektivi ynë kryesor është që, para së gjithash, të parandalojmë acarimin e situatës dhe, siç e përmenda, të ndihmojmë për fillimin e një dialogu politik mes forcave politike. Ne kryesisht po mbështesim përpjekjet e presidentit Topi. Ne mendojmë se ai është ndërmjetësi kryesor dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta mbështesin presidentin. Ne mendojmë se do të jetë e nevojshme që të takohemi me përfaqësuesit e partive politike, jo thjesht që ata të kenë mundësinë të na sqarojnë se ku qëndron problemi dhe se çfarë idesh kanë për të gjetur një zgjidhje, por mendoj gjithashtu, se duhet të kemi edhe një takim të përbashkët me të gjitha forcat kryesore politike.”
-Ju keni bërë thirrje që palët të dialogojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë krizë. çfarë përgjegjësie ka secila palë për situatën e krijua?
“Ne nuk po shtrojmë çështjen e përgjegjësive. Prej disa muajsh në Shqipëri po flitet shumë se kush është përgjegjësi dhe kush jo. Detyra jonë është që të ndihmojmë në gjetjen e një zgjidhjeje. Për këtë do të bëjmë edhe disa propozime konkrete, për të cilat nuk mund të jap më shumë hollësi për momentin. Siç e dini, Asambleja Kuvendare e Këshillit të Europës bëri disa propozime që lidhen me vizitën tonë në Tiranë. Ky nuk është një mision faktmbledhës, pasi ne i dimë faktet. Ideja është që të ndryshojmë realitetin në terren dhe të fillojë dialogu mes partive politike.”
-Thatë se do të takoheni me përfaqësues të forcave kryesore politike dhe se do të keni disa propozime. A do të ushtroni ndonjë presion që ato t'i pranojnë propozimet tuaja?
“Ne nuk e përdorim termin “presion”. çështja është se ne të paktën shpresojmë se të gjitha partitë mendojnë se Këshilli i Europës ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në të ardhmen. Ky rol pranohet nga të gjitha palët. Ne nuk po mbajmë asnjë anë në konfliktin në Shqipëri. Ne mendojmë se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i Kuvendit të përfundojë, në mënyrë që Kuvendi të funksionojë normalisht. Por çështja shtrohet sesi mund të arrijmë deri këtu. Ky është problemi kryesor që do të kemi gjatë kësaj vizite.”
-Si e vlerësoni qëndrimin e presidentit Topi, për të cilin thatë se e mbështesni, që prej fillimit të kësaj krize pas zgjedhjeve të vitit të kaluar?
“Më duhet të them se ne jemi takuar me të në të gjitha vizitat që kemi pasur në Shqipëri. Mendoj se ai ka luajtur një rol pozitiv dhe, në fakt, partitë kryesore politike duhet të kontribuojnë që roli i tij si ndërmjetës të jetë më i madh. Mendoj se e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka të njëjtën qasje si Këshilli i Europës, se ne jemi në mbështetje të rolit ndërmjetësues të presidentit Topi, në mënyrë që ai të luajë një rol më të madh.”
-Sa e vështirëson misionin ndërmjetësues të presidentit, me mbështetjen tuaj dhe të aktorëve të tjerë ndërkombëtare, retorika e ashpër dhe gjuha e përdorur nga lojtarët dhe forcat kryesore politike, pikërisht ato që duhet të zgjidhin krizën?
“Më duhet të them se fyerjet që i gjen në skenën politike shqiptare, nuk i kam dëgjuar në asnjë vend tjetër europian. Mua më takon të udhëtoj në vende të ndryshme gjatë gjithë kohës, por nuk e dëgjoj kurrë gjuhën apo fyerje të tilla si ato që i dëgjojmë në Shqipëri. Ne duhet ta ndalojmë përdorimin e këtij fjalori. Këtu e kam fjalën për të gjitha palët dhe jo thjesht për individë të caktuar. Le të flasim për politikën, jo të futemi nëpër rrugë dytësore dhe të merremi me fyerjet.”
-A mund të na thoni sesi do të zgjidhet mungesa e përfaqësuesit të opozitës, për shkak të bojkotit, në delegacionin Kuvendar nga Shqipëria në Asamblenë e Këshillit të Europës?
“Natyrisht që situata është problematike. Praktika është që delegacioni i secilit prej vendeve anëtarë të Këshillit të Europës përbëhet nga përfaqësues të koalicionit qeverisë dhe të opozitës. Problemi është se opozita shqiptare nuk përfaqësohet në delegacion. Ky është një ndër rezultatet e bojkotit. E vetmja rrugë për ta zgjidhur këtë problem është që t'i jepet fund bojkotit dhe opozita të përfaqësohet në delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ashtu siç vepruam në sesionin e fundit, kur opozita nuk i ka përfaqësuesit e saj në një delegacion, ne duhet të shfrytëzojmë burime të tjera për t'u njohur me qëndrimin e opozitës. Kjo është arsyeja që sekretarja për Marrëdhënie me Jashtë në Partinë Socialiste u ftua të fliste para komisionit të monitorimit, në mënyrë që ne të njiheshim me qëndrimin e opozitës.”
Pronat, Kuvendi miraton fondin special
Fondi do të përmbledhë të gjithë burimet financiare, përfshi paratë që do të vilen nga procesi i legalizimit, nga procesi i privatizimit, si dhe nga dhurimet e ndryshme
Qeveria mbrojti në Komisionin e Ligjeve dhe të çështjeve Kushtetuese të Kuvendit një projekt ndryshimi në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, që lidhet me një fond për mbledhje burimore të ardhurash, që do të shkojnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Projekti i ndryshimit është paraqitur nga Ministria e Financave dhe nga Ministria e Drejtësisë. Komisionerët ligjorë diskutuan mbi pikën që, sipas ndryshimit, u jep të drejtën autoriteteve të krijojnë një fond të posaçëm për të kompensuar ish-pronarët. Ministritë besojnë se me këtë fond do të shtohen shanset për të përshpejtuar procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Për fondin do të hapet një llogari e veçantë, që është parashikuar në ndryshimin ligjor. Mimi Kopani nga financat, tha se “ky fond do të administrohet drejtpërdrejt nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave dhe për këtë do të hapet një llogari në thesarin e shtetit”, se “agjencia do të ketë vazhdimisht shikimin e fondit” dhe se me “ligjin tjetër buxhetor nuk është se fondet e papërdorura rikthehen në buxhetin e shtetit”. Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, deputet i PD-së, Eduard Halimi, kujtoi se fondi do të përmbledhë të gjithë burimet financiare, përfshi paratë që do të vilen nga procesi i legalizimit, nga procesi i privatizimit, si dhe nga dhurimet e ndryshme. Sipas Halimit, fondi nuk do të mbetet vetëm në nivelet (9 milionë euro) që janë të deklaruara nga legalizimet e sipërfaqeve me pronarë. “Duke marrë të gjitha të ardhurat që vijnë nga privatizimi i të gjitha pasurive shtetërore, duke futur në këtë fond të gjitha paratë që do të vijnë nga procesi i legalizimit, jo vetëm 9 milionë euro që janë deklaruar vetëm nga legalizimi i atyre parcelave ku është njohur pronari, por të gjithë fondin e legalizimeve. Ndarja e këtyre fondeve nuk është se do të bëhet me këste, por do të bëhet sipas modaliteteve që do të përcaktohen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, - tha ai. Për ministrin e shkuar të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me këtë ndryshim të diskutuar nga komisionerët ligjorë, ish-pronarët shihen si detyrim dhe jo thjesht si proces kompensues. “Kjo qeveri ka treguar që të paktën në katër vjet ka bërë kompensime financiare mbi 30 miliardë lekë për subjektet e shpronësuara. Por ka qenë gjithmonë mundësi, ka nevojë edhe për vullnet politik, ndërsa tani kalohet në bindje në një detyrim ligjor buxhetor”, - tha Alibeaj për fondin, që qeveria beson të nxisë përshpejtimin e procesit të kompensimit financiar edhe për sipërfaqet pronësore përmbi 200 metra katrorë.
Legalizimi
Ish-pronarët kundërshtuan një ditë më parë përfshirjen në proces të legalizimit të letrave me vlerë, përndryshe bono të privatizimit. Ata kërkuan gjithashtu një ditë më parë, që të shlyheshin prej qeverisë rreth 46 milionë euro të mbetura nga “kësti” paraardhës, referuar një vendimi të vjeshtës së vitit 2008. Myrshit Vorpsi nga shoqata për “Pronësi me Drejtësi”, deklaroi se “i kërkojmë qeverisë shqiptare që urgjentisht të realizojë pagesën e fondit prej 46 milionë eurosh për pronarët e shpronësuar sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të shfuqizojë dhe të bëjë nul vendimin e Këshillit të Ministrave 610, datë 10.6.2009, “Për administrimin e fondit special të kompensimit të pronave” dhe që “të hiqet dorë nga përdorimi i fondit të kompensimit të pronarëve për shpërblimin e shpronësimeve për efekt legalizimi”, sepse sipas tij, “pagesa e shpronësimit të pronarëve të bëhet nga ALUIZNI”. Sipas ish-pronarëve, ligji ekzistues parashikonte që kjo mënyrë pagese do të përdorej vetëm për sipërfaqe deri në 300 metra katrorë. Por Vorpsi kishte thënë se “këto veprime e ulin akoma më tepër çmimin për metër katror, duke e çuar deri në 100 lekë për metër katrorë” dhe se “duhet të eliminohet përdorimi i letrave me vlerë dhe çmimet të përcaktohen sipas çmimeve të tregut”. Vorpsi foli pasi komisionerët kuvendarë të ekonomi-financës dhe të veprimtarisë prodhuese, tregtisë dhe mjedisit, ku diskutuan projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar”.
Projektligji
Pagesa deri në 50 për qind e vlerës me letra me vlerë (bono privatizimi), përfshin parcelat ndërtimore që ndodhen jashtë vijës së verdhë dhe në sipërfaqe deri 500 metra katrorë. Ligji i ka të përfshira në pikat a, b, c, c dhe d të nenit 19. Po ashtu, përfshihen edhe për parcelat ndërtimore të vendbanimeve apo ndërtimeve informale brenda vijës së verdhë që kanë sipërfaqe deri 300 metra katrorë, të përcaktuara në pikat a, b dhe c të nenit 20 (ligji bazë). Neni 21 ishte thelb në ndryshim. Sipas këtij neni, shtesa e bërë është paragrafi “Pronari i ndërtimit pa leje që trajtohet sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c” të paragrafit të parë të kësaj pike, mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës të sipërfaqes së zënë më shtesë anësore pa leje në ndërtimet me leje”.