E Shtunë, 31 Tetor 2026

I qëlloi përpara syve tanë sapo dolën nga lokali

Policia e juglindjes ka marrë kontakte me palën greke, për të siguruar kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje të pazakontë, i cili dyshohet të ketë kaluar kufirin në mënyrë ilegale. Ndërkaq, palës greke i janë dërguar të dhënat dhe fotoja e super të kërkuarit, duke ndërmarrë dhe një kërkim për këtë të fundit

Irena Vreto
Devoll - Maksut Merolli është një nga të paktët okularë që ka parë vrasjen e tmerrshme në qendër të fshatit. Ende i shokuar, ai tregon si autori i saj, i cili sipas tij nuk është banor i fshatit, pasi është nga Mamurrasi, i martuar me një vajzë të Vidohovës. “Unë pashë Besimin të zbriste në qendër të fshatit. Mbante xhaketën fort, por nuk mendova se do të kishte armë. Ai nxori kallashnikovin dhe qëlloi mbi Taulantin dhe pastaj mbi dy vëllezërit e tjerë që sapo kishin dalë nga lokali. Ai bëri thirrje të mos afrohej askush tjetër se do të qëllonte, ndërsa vazhdoi për disa minuta, duke qëlluar në ajër, derisa i mbaroi të gjithë fishekët. Pasi u sigurua që i kishte mbaruar, ai u largua i qetë në drejtim të malit, ndërsa ne vazhdonin të kishin frikë nga ndonjë tjetër breshëri e tij. Në fshat e dinim që Taulanti kishte një marrëdhënie me gruan e Besimit, por mendonim se gjithçka ishte mbyllur”, ka pohuar për gazetën në një rrëfim tronditës Merolli. Dëshmitarët që kanë parë ngjarjen kanë qenë të pakët, ose të paktën kështu i kanë deklaruar edhe policisë nga frika e ndonjë hakmarrjeje ndaj tyre.
Rrethimi
Policia e juglindjes ka nisur menjëherë operacionin e shpëtimit, ndërkohë që autori i kësaj ngjarjeje barbare ka lënë fshatin, duke u larguar në një mal shumë pranë tij. Dyshohet që i kërkuari të ketë kaluar kufirin me Greqinë. Ndërkaq, nga Tirana kanë mbërritur forcat RENEA, të cilat kanë rrethuar fshatin e vogël që ndodhet në skajin më juglindor, banorët e të cilit janë përfshirë nga paniku. Më shumë se 20 forca të RENEA-s janë vendosur në Vidohovë, ndërkohë që forcat të shumta të Drejtorisë së Policisë në Korçë gjithashtu janë bërë pjesë e një super-operacioni për kapjen e shumë të kërkuarit Besim Karaj. Gjithashtu, policia e juglindjes ka marrë kontakte me palën greke për të siguruar kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje të pazakontë, i cili dyshohet të ketë kaluar kufirin në mënyrë ilegale. Ndërkaq, pala greke ka marrë të dhënat dhe foton e super të kërkuarit, duke ndërmarrë dhe një kërkim për këtë  të fundit.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›