E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltarët i kërkojnë Berishës zgjidhje për tokat e përmbytura

 
Këshilli Bashkiak: Nëse nuk ka zgjidhje ligjore, do të mbështesim komunitetet që përfaqësojmë për t’u futur në rrugën e protestave
 
 
Basri Elezi
“Në Shkodër u përmbytën dhe qeveria po u jep kompensim. Ne me dekada e presim këtë proces dhe askush s’po na jep atë që na takon. Qeveria po fiton para “me hu” nga shfrytëzimi i tokave tona dhe neve s’na e var fare”.
 
 
Flutura Tota
Kukës - Këshilli Bashkiak i Kukësit i ka kërkuar dje kryeministrit Sali Berisha që të marrë seriozisht zgjidhjen e çështjes së tokave të përmbytura, si dhe atyre të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore, të cilat prej vitesh kanë mbetur pezull, e që aktualisht janë nën juridiksionin e Bashkisë Kukës. Drejt këtij vendimi janë bashkuar të gjithë këshilltarët pa dallim ngjyre politike, pasi ky është problemi më kyç i komunitetit kuksian, si dhe më i pazgjidhshmi nga të gjitha qeveritë e Shqipërisë pluraliste.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme të këtij organi vendimmarrës, iniciatorë për marrjen e një vendimi të tillë kanë qenë këshilltarët, të cilët në këshill përfaqësojnë këto komunitete, që i kanë quar ata drejt këtij hapi. Sipas këshilltarëve, duke filluar që nga viti 1992 e deri tani, në skemën e dëmshpërblimit apo kompensimit të këtyre pronarëve janë përfshirë vetëm disa individë, të cilët janë një numër shumë i vogël në krahasim me numrin e përgjithshëm të pronarëve që liqeni i Fierzës u “gllabëroi” tokat në kohën e ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës. Sipas tyre, veç kësaj ata duhet të pajisen edhe me dokumentacionin e duhur të këtyre tokave, me qëllim që nga shteti të kenë dokumentet, qiranë e tokës, duke nisur nga viti 1992, si dhe kompensim financiar dhe fizik. Ata kanë deklaruar se, nëse edhe kësaj here nuk do të ndërhyhet, do të mbështesin komunitetet që përfaqësojnë për t’u futur në rrugën e protestave.
“Sot, në këtë mbledhje të jashtëzakonshme, jemi mbledhur për t’i kërkuar Berishës ndërhyrje të menjëhershme sa u takon këtyre dy problemeve, pasi mjaft më jemi sorollatur zyrë më zyrë pa pasur në tryezë zgjidhje konkrete. Nëpërmjet kësaj nisme, e cila tashmë është bërë një fakt i kryer, për shkak të miratimit nga këshilli, duam t’i themi qeverisë shqiptare, se kësaj here populli më nuk pret dhe se në rast moszgjidhjeje do të hidhet në rrugën e protestave”, shprehet kështu këshilltari Beqir Cena. Ndërsa një tjetër këshilltar, Basri Elezi, thotë se shteti, ashtu siç di të përfitojë ndaj pronave të kuksianëve, ashtu duhet t’u përgjigjet kërkesave të tyre. Sipas tij, në Shkodër u përmbytën vetëm dy javë dhe po dëmshpërblehen, ndërsa Kukësit që është përmbytur prej vitesh asnjë lek nuk po i jep. “Në Shkodër u përmbytën dhe qeveria po u jep kompensim. Ne me dekada e presim këtë proces dhe askush s’po na jep atë që na takon. Qeveria po fiton para “me hu” nga shfrytëzimi i tokave tona dhe neve “s’na e var fare”. Kësaj here jemi të vendosur që t’i japim fund kësaj odiseje”, vijon më pas Elezi. Të të njëjtit mendim kanë qenë të gjithë këshilltarët, të cilët e kanë votuar pa më të voglin dyshim apo kundërshti këtë projektvendim, që tashmë ka marrë formën e vendimit. Veç kësaj, ata u kanë bërë thirrje edhe deputetëve të qarkut Kukës, Asllan Dogjani, Flamur Noka, Fatos Hoxha dhe Besnik Dushaj që të ndërhyjnë te Këshilli i Ministrave, në mënyrë që të miratohet një vendim parlamentar për këtë çështje, pasi deri tani ka pasur disa vendime qeveritare, të cilat s’kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë nëpërkëmbur të drejtat e pronarëve të këtyre pronave, të cilat shteti po i shfrytëzon prej vitesh. Sa u takon tokave të lira të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore këshilltarët kanë deklaruar se pronarët kanë marrë tokat nëpërmjet komisioneve të ngritura “fshatçe” dhe nuk janë pajisur me dokumentacionin sipas ligjit. Për moszgjidhjen e këtyre problemeve, shkaqe kryesore këshilltarët kanë vendosur disa, si mosnjohja e legjislacionit nga komuniteti, por nuk kanë lënë pa akuzuar edhe administratën apo gjyqësorin për punën e mangët e administratës, si dhe pengesat e sistemit gjyqësor. Kjo është hera e parë që çështja e tokave të përmbytura në Rrethin e Kukësit tenton të zgjidhet nga një organ vendimmarrës, siç është Këshilli Bashkiak Kukës, pasi herë të tjera ka qenë popullata e prekur apo shoqata e krijuar prej tyre, që kanë trokitur në çdo institucion shtetëror, por që asnjëherë nuk gjetën zgjidhjen e kërkuar.
 
 
 
Historia
 
Zgjidhjet e
deritanishme,
të pjesshme
 
Rreth 5.500 familje, shumica nga Rrethi i Kukësit, përfshi qytetin e vjetër, u përmbytën në vitin 1978, për të ndërtuar hidrocentralin e Fierzës, më i madhi në vend. Familjet e pellgut u shpërndanë në atë kohë dhunshëm si muhaxhirë dhe vetëm në vitin 1993 u kërkua shpronësim nga pronarët, por vit pas viti asnjëherë nuk u arrit një gjë e tillë. Të vendosur nëpër fshatra-kampe artificiale, u gjendën (pas vitit 1991) në rrugë të madhe. Protesta e tyre në vitin 1993 me grevën e urisë uli në bisedime qeverinë, e cila dha zgjidhje të pjesshme, duke u dhënë një copë tokë në zonat e Durrësit. Zgjidhje të pjesshme dhanë edhe qeveritë e mëvonshme, por me kalim e kohës, siç kanë komentuar ekspertët që janë marrë me këtë çështje, u bënë edhe abuzime, duke lënë shumicën e familjeve të shpërngulura pa kompensim dhe në mëshirë të fatit. Nga një vëzhgim i vitit 2004, i kryer nga ekspertë të ministrisë, doli se toka dhe trualli i Kukësit të Vjetër kishin një numër mbivendosjesh, por asnjëherë nuk pati penalizime dhe as zbardhje të plotë të çështjes. Në këtë proces të gjatë dhe pothuajse historik të shpronësimit, shoqata dhe shteti testojnë njëri-tjetrin në kohë zgjedhjesh, ku nuk kanë munguar zgjidhjet e pjesshme sa për të kaluar “situatën”.
 
 
 
Durrës
 
Zhbllokohet puna për rrugën “Kristaq Rama”,
bashkia lidh kontratë me firmë tjetër
 
 
Bllokimi
Punimet nisën fillimisht në 20 shkurt të vitit të kaluar, por firma “Euro-Ndërtim” i la përgjysmë punimet, duke deklaruar se çmimet e ofruara nga bashkia për situacionet dhe punimet që do të kryheshin janë mjaft të ulëta
 
Durrës - Ka nisur dje puna në rrugën “Kristaq Rama”, e cila ishte ndërprerë që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Lënia përgjysmë e punimeve në këtë rrugë nga firma “Euro-Ndërtim”, e detyroi bashkinë që të niste përpjekjet për gjetjen e një firme tjetër për të përfunduar punimet. Burime nga Bashkia e Durrësit kanë bërë të ditur se firma “Italalba” ka nisur punimet në këtë rrugë, pas kontratës që është nënshkruar me të, për të përfunduar zërat e punimeve të mbetura. Të njëjtat burime kanë saktësuar se është rënë dakord që firma në fjalë të përfundojë punimet me ato çmime që janë vendosur vitin e kaluar, me të cilat kishte rënë dakord gjithashtu edhe firma “Euro-Ndërtim”. Bashkia e Durrësit vendosi të investojë 16.799.985 lekë për rikonstruksionin e kësaj rruge afro 100 metra të gjatë dhe 8 metra të gjerë. Punimet nisën fillimisht në 20 shkurt të vitit të kaluar, por firma “Euro-Ndërtim” i la përgjysmë punimet, duke deklaruar se çmimet e ofruara nga bashkia për situacionet dhe punimet që do të kryheshin janë mjaft të ulëta. Bashkia e Durrësit e prishi kontratën pas kësaj me firmën, duke e gjobitur atë me sekuestrimin e shumës së bllokuar në bankë, si garanci për nënshkrimin e kontratës. Firma në fjalë është penalizuar edhe nga Agjencia e Prokurimeve Publike (APP) me përjashtimin nga procedurat të ngjashme për tre vjet me radhë. Rruga “Kristaq Rama” nis nga lulishtja para bustit të Azem Hajdarit dhe shkon paralel me elektrikun, për të përfunduar te sheshi para stacionit të trenit. Firma e kontraktuar rishtazi nga bashkia do të përfundojë edhe punimet për sistemimin e sheshit para bllokut të pallateve pranë kopshtit “1 Qershori”, të cilat gjithashtu ishin lënë përgjysmë. Aktualisht mbetet që në këto dy pjesë të një investimi të vetëm, duhet të bëhet nivelimi i rrugës dhe sheshit para kopshtit “1 Qershori”, si dhe asfaltimi i tyre. Rruga në fjalë ka marrë emrin e babait të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe mendohet se do të përfundojë brenda dy muajsh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›