Fakultet i dytë, dokumentet deri më datë 10 Shtator
Sekretaritë kanë nisur të punojnë vetëm dje, ndërkohë që koha për plotësimin e dokumenteve nuk mjafton
Kush ka vendosur të nisë studimet në fakultet të dytë, duhet të nxitojë, pasi koha në dispozicion nuk premton. Shkak për kufizimin e periudhës së dorëzimit të dokumenteve është bërë mungesa në sekretaritë e dekanateve, gjatë muajit gusht, e personelit që merret me procedurat administrative. Mbështetur në dokumentet e kërkuara për të nisur aplikimin, problemi më i madh me të cilin mund të hasen sekretaritë e dekanateve dhe individët e interesuar është nxjerrja e plotë dhe e saktë e programit të lëndëve që këta të fundit kanë kryer gjatë periudhës së studimeve. Më të vështirë për të marrë programin e lëndëve, duket se do ta kenë individët të cilët kanë përfunduar studimet disa vite më parë. Puna me ritëm të plotë në sekretaritë e dekanateve ka nisur vetëm gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që duke marrë parasysh afatin e fundit të vendosur për dorëzimin e dokumenteve për degë të dytë, kanë mbetur në dispozicion vetëm 8 ditë, kohë kjo e pamjaftueshme për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Në Fakultetin Juridik, dita e fundit e dorëzimit të dokumenteve për të nisur studimet e dyta në këtë dekanat është data 10 Shtator. Shqetësimin për vonesën e kanë shprehur edhe vetë personat e interesuar, të cilët megjithëse janë informuar mbi fillimin e aplikimit në ditët e parë të muajit gusht, janë detyruar të presin datën 1 Shtator, fillimin e punës në dekanate, për të bërë të mundur nisjen e plotësimit të dokumentacionit të kërkuar. Katër janë dokumentet që nevojiten për të qenë pjesë e fazës seleksionuese, që të siguron vazhdimin e studimeve në fakultet të dytë. Së pari, kërkesë me shkrim, ku të motivohet arsyeja e vazhdimit të studimeve në degën e kërkuar; së dyti, fotokopja e noterizuar e diplomës universitare dhe listës së notave; e treta, por jo më pak e rëndësishmja nga radha, Jetëshkrimi dhe, së fundi, plani dhe programi i lëndëve të realizuara. Përsa i përket kriterit të fundit, për individët e interesuar bëhet e ditur se, plani dhe programi i lëndëve të realizuara do të merret në departamentin e degës ku ata kanë kryer studimet në degën e parë. Sidoqoftë përparësi në vazhdimin e studimeve të dyta do të kenë kandidatët të cilët kanë jetëshkrim të pasur, ku rëndësi do t’i jepet aspektit profesional. Përsa i përket kuotave për degë të dytë dhe tarifës së shkollimit, këto elementë mbeten për t’u përcaktuar nga Këshilli i Ministrave gjatë muajit në vazhdim. Vitin e kaluar qeveria miratoi 250 kuota pranimi për degë të dytë, ku fakultetet më të kripura ishin Juridiku dhe Mjekësia. Po kështu fakultetet kanë përcaktuar edhe kriteret për transferimin e degës, për ata që e ndjejnë veten të pakënaqur nga zgjedhja e parë. Për të bërë të mundur një gjë të tillë, studentët e interesuar duhet të dorëzojnë në sekretaritë e fakulteteteve, 8 dokumente: kërkesë me shkrim, degën e shkollimit, kursin e studimit, sistemin e studimit, detyrimet e shlyera me notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me foto, planet dhe progranet e lëndëve që ka kryer si edhe nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo.