Regjistrimi i fëmijëve në kopshte, thirret për ndihmë policia
Në ndryshim nga viti i kaluar, DAR në Tiranë vendos regjistrimin e fëmijëve në një sportel, pa menduar për pasojat
Debate të ashpra deri në konfrontime fizike me forcat e rendit, ka shkaktuar mëngjesin e djeshëm vendimi i Drejtorisë Arsimore Tiranë për regjistrimin e fëmijëve në sistemin parashkollor publik në një sportel dhe, për më keq, në një ditë të vetme. Shkak për lindjen e konflikteve midis prindërve është bërë frika e këtyre të fundit se mos numri i vendeve në kopshte dhe çerdhe mund të plotësohej para se ata të arrinin të kryenin regjistrimin. Prindërit kanë lënë punët dhe janë dyndur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në sportelin e vetëm të hapur në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, duke krijuar kësisoj radhë të gjata. Specialistë të Drejtorisë Arsimore janë shprehur se vendimi për regjistrimin në një pikë të vetme të fëmijëve në sistemin parashkollor u mor për të lehtësuar procedurat dhe ulur kohën e aplikimit, pa e menduar se ky vendim do të sillte kaos te prindërit. Vitin e kaluar, regjistrimi i fëmijëve në kopshte dhe çerdhe është bërë në institucionet përkatëse. Një tjetër shkak për rrëmujën e shkaktuar gjatë ditës së djeshme në sportelin e vetëm në Drejtorinë Arsimore është edhe fakti se këtë vit në institucionet parashkollore do të pranohen vetëm 30 fëmijë. Vetë prindërit janë shprehur se nuk kanë mundësi të çojnë fëmijët në çerdhe apo kopshte private e për këtë arsye kanë qenë të detyruar të lënë të gjitha angazhimet ditore për t’u marrë me regjistrimin e fëmijëve në sistemin parashkollor publik. Në radhën e krijuar në sportelin e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, dje janë parë edhe prindër të mbërritur nga zona si Sauku, Kombinati, Alliasi, çka ka bërë që turma të dalë jashtë kontrollit. Për këtë arsye, inspektorë të Drejtorisë Arsimore kanë kërkuar ndihmën e forcave të rendit, për të përballuar radhën e gjatë të prindërve.