E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lala dhe Shqipëria, tani një sensacion"

 

Revista e njohur gjermane "Bild" shkruan për kapitenin e kombëtares: Ai është i mrekullueshëm

Nuk kishte si të mos e komentonte media gjermane fitoren e fundit të Shqipërisë me Maltën, 3-0, që e renditi ekipin tonë kombëtar në vendin e parë të grupit 1 eliminator. Një arsye më shumë për revistën prestigjioze, "Bild", është edhe prania e Altin Lalës te kuqezinjtë, si kapiten i tyre, një rol të cilin e ka bërë për shumë vite edhe te klubi gjerman, Hanover 96. Tabloidi i njohur i ka kushtuar një vëmendje të veçantë lojës së Lalës dhe arritjes momentale të Shqipërisë. "Të shumta kanë qenë dyshimet për Altin Lalën në këtë fillim sezoni të Bundesligës, por ato u zhdukën falë paraqitjes së tij në dy ndeshjet me Shqipërinë ndaj Suedisë dhe Maltës,"- shkruante revista e mirënjohur. Por elozhet për paraqitjen e kombëtares shqiptare dhe kapitenit kuqezi vazhdojnë. "Me kapitenin Lala, kombëtarja shqiptare fitoi 3 0 me Maltën dhe tani është kryesuese e grupit, pas dy ndeshjeve të zhvilluara në fushën e vet. Nuk është pak të lësh pas ekipe të tilla si Danimarka, Suedia dhe Portugalia. Shqipëria, megjithëse është një vend i vogël, tani përbën sensacion. Ndërsa Altin Lala është pa dyshim i mrekullushëm, dhe tani me shqiptarin Hanoveri do të ngjitet edhe më në tabelë,"- citonte "Bild". Edhe pse po shkon 33 vjeç, Lala ishte një shembull për kombëtaren. Dhe sipas revistës gjermane, sekreti i kësaj forme të shkëlqyer të shtatshkurtrit është i thjeshtë. "Ka zhvilluar një stërvitje të shkëlqyer gjatë fazës përgatitore me Hanoverin dhe tani po merr frytet. Forma fizike e tij është shumë e mirë dhe kjo jep një garanci për Hanoverin, që nesër luan brenda me Borusian e Mynshengladbahut."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›