Mirel: KE do ta ndihmojë Kosovën
Komisioni Evropian është plotësisht i përkushtuar ta ndihmojë Kosovën, tha drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel në takimin që realizoi me presidentin kosovar, Fatmir Sejdiu.
“Unë mendoj se këtë e kemi vërtetuar në Konferencën e Donatorëve për Kosovën të mbajtur në Bruksel, e cila ishte një sukses i madh në nivelin e lartë të përkrahjes së numrit të Donatorëve”, pohoi z. Mirel.
Ndërkaq, Presidenti Sejdiu pas takimit theksoi se mbështetja për Kosovën do të vazhdojë në rrugën e saj drejtë integrieve euroatlantike.
“Morëm përkushtimin se kjo mbështetje do të vazhdojë për Kosovën, e cila ka vizion të ecjes së saj drejt integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe natyrisht një garanci të veçantë për realizimin e zotimeve që kemi dhënë në relacion me të gjithë qytetarët e Kosovës, flas edhe për pakicat”, theksoi Presidenti. (INA)