Kakavijë, radhë e gjatë emigrantësh
Kakavijë- Bllokimi për 24 orë i punës në doganën greke të Kakavijës ka shkaktuar radhë të gjata në këtë pikë të kalimit kufitar.
Qindra emigrantë qëndrojnë në radhë, në pritje të procedurave për të kaluar në të dy anët e kufirit. Sipas burimeve nga dogana mësohet se radha ka arritur në 1.5 kilometër e gjatë.
Ndërkohë burimet policore bëjnë me dije se puna në këtë doganë nisi në orën 06.00 të mëngjesit të sotëm, pas 24 orë bllokimi total të punës.
Bllokimi i punës në këtë doganë u njoftua ditë më parë nga policia greke e kufirit, e cila lajmëroi se nuk do të punonte, pasi personeli i saj ishte përfshirë nga një grevë e përgjithshme.
Në fillim greva u zhvillua për tre orë, që u shoqërua me ndërprerje të punës në Kakavjië dhe në doganën e Tri Urave, pastaj edhe 24 orë pa ndërprerje.
Pas kësaj, edhe në Kapshticë u njoftua e njëjta gjë, kurse policia shqiptare kërkoi mirëkuptimin e emigrantëve për të evituar kalimin, meqenëse pala greke kishte njoftuar për ndërprerjen e punës.