Zbardhet skema e vjedhjes së bankomatëve
Tiranë- Prokuroria e Tiranës, përmes provave të shumta dhe dëshmive të siguruara ka bërë të mundur zbardhjen e skemës së vjedhjes së llogarive bankare përmes klonimit të kartave të kreditit, nga të pandehurit e arrestuar në operacionin e koduar “Matrix”. Burime zyrtare nga prokuroria e kryeqytetit konfirmuan se 17 personat e marrë me cilësinë e të pandehurve për këtë çështje, dyshohen për vjedhjen e të paktën 400 llogarive bankare, me vlerë mbi 200 mijë euro në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorës. Sipas këtyre burimeve, grupi hetimor dyshon se kartat e klonuara përgatiteshin me pajisjen e sofistikuar elektronike nga i pandehuri Endrit Gjergjani, i cili është cilësuar si kreu i grupit. Më pas, kartat e kreditit “Mastercard” dhe “Visa” iushpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë të dyshuar të këtij grupi me qëllim tërheqjen e shumave nga bankomatet apo blerjen e sendeve të ndryshme me vlerë me anë të këtyre kartave të kreditit. Mësohet se nga të dhënat hetimore ka rezultuar se të dyshuarit kanë arritur që përmes kartave të klonuara të kryenin në vitin 2007 deri në fillim të 2008, rreth 400 tërheqje nga bankomatet dhe blerje të veshjeve, makinave dhe pajisjeve luksoze në qendra të ndryshme tregtare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë arrestuar pak javë më parë,gjatë një operacioni të organizuar nga Policia e Shtetit ne bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës dhe dosja tashmë ndodhet në përfundimet e fazës së hetimit.