Lala nuk dorëzohet

Altin Lala nuk e ka ndërmend të pensionohet nga futbolli. Mesfushori shqiptar ka kontratë me Hannoverin deri në qershor të këtij viti, por në një intervistë për uebfaqen neuepresse.de, thotë se, nëse klubi ka nevojë për të, do të luante edhe një vit.
Përfaqësuesi shqiptar është rikthyer nga lëndimi që e la jashtë për një kohë të gjatë.
Ai konsiderohet si ‘patroni’ i ekipit, pasi kaloi plot 13 vjet në klubin kuqezi. Sipas Lalës, bashkëpunimi dhe respekti në mes të lojtarëve, ka bërë që këtë sezon Hannover të ketë paraqitje dinjitoze në Bundesligë.
“Do t’i jap vetes kohë deri në muajin mars, që të shoh se ku gjendem. Sidoqoftë, unë ndiej se mund të luaj edhe një vit dhe këtë do të dëshiroja ta bëj pikërisht në Hannover. Do të bisedoj me presidentin për këtë”, tha Lala, i cili planifikon të mbetet në Hannover, edhe pasi ta përfundojë karrierën. Ai nuk dëshiron ta mbulojë një punë simbolike, por një vend ku ka sens dhe rëndësi.
Hannover e mbylli pjesën e parë të sezonit në pozitën e katërt, me 31 pikë. Kjo pozitë çon në Evropë, nëse ky ekip di ta mbajë ritmin edhe në pranverë. Edhe Lala beson në një gjë të tillë.
“Jemi në një pozitë shumë të mirë. Ne kemi një aeroport të madh, ku mund të zbarkojë çdokush. Ndoshta është herët të flasim por, pse të mos luajmë edhe ne në Evropë? Bremen dhe Wolfsburg janë qytete më të vogla se Hannoveri. Kështu që, një gjë të tillë mund ta bëjmë edhe ne”, shtoi ai.
Lala kujton se, po ta kishte mundësinë të zgjidhte, në të kaluarën do të luante në Hamburg ose në Borussia Dortmund, dy vende këto me atmosferë të mirë nëpër stadiume.
Edhe pse njerëzit e krahasojnë lojën e Hannoverit me atë të Barcelonës, Lala nuk ka dëshirë të bëhen kësi lloj krahasimesh, pasi që klubin katalunas e quan ‘të një bote tjetër’.
“Nuk mund të bëhen krahasime me Barcelonën. Ky ekip është si asnjë tjetër, bën një lojë të pabesueshme. Ky është futbolli i një bote tjetër. E shikoj këtë ekip dhe mendoj se do të isha i lumtur po të isha shofer i autobusit të Barcelonës”, përfundoi Lala.