Digjen fletëvotimet
Më nuk ka dilemë për datën dhe vendin e djegies së fletëvotimeve të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Ato do të asgjësohen më 7 janar, me 500 litra benzinë dhe në një vend të veçantë. Kështu ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndonëse vetëm me votat e anëtarëve të shumicës parlamentare. Ndërkaq, Arkivi i Shtetit do të jetë destinacioni i ri për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Rrjedhimisht, nëse Partia Socialiste do të vazhdojë t’iu përmbahet zotimeve për zbardhjen e së vërtetës së procesit të fundit elektoral, ajo atëherë do të detyrohet të ndjekë një punë arkivore dhe s’do të ketë më nevojë të gjejë një zgjidhje politike me shumicën e drejtuar nga Sali Berisha.
Sikurse edhe pritej, mbledhja e KQZ’së u shoqërua me debate të ashpra, të cilat, sipas asaj që tha anëtarja e opozitës, Dëshira Subashi, kanë arritur të vënë në dyshim edhe vetë legjitimitetin e këtij institucioni.
“Ne kërkuam rinumërimin e votave, por kjo nuk u pranua. Besimi ka humbur në atë shkallë saqë vihet në dyshim serioz edhe vetë ekzistenca jonë. Çfarë mund të vazhdojmë ne kur përplasemi kaq fort dhe kur politika nuk të jep besim që të futesh në zgjedhje. Unë jam kundër djegies së kutive. Vendimmarrja 4-3 është një çështje besimi, dhe unë nuk jam pjesë e shqyrtimit të këtij materiali”, theksoi Subashi, e cila ishte larguar nga mbledhja bashkë me anëtarin e komisionit, Artan Laze, megjithëse mbledhja vazhdoi vetëm me praninë e përfaqësuesve të shumicës.
Ndërkohë, ishin replikat ato që karakterizuan edhe diskutimin ndërmjet përfaqësuesit socialist, Genc Gjonçaj, me kreun e KQZ’së, Arben Ristani. Me ton të ashpërsuar dhe me një qëndrim të qartë politik, Gjonçaj akuzoi Ristanin për njëanshmëri, duke mos hezituar as që ta etiketojë personalisht. “Interesi ynë për materiale nuk ka përfunduar. Ky interes ka lidhje me transparencën dhe me zgjedhjet e ardhshme, prandaj ju sot po merrni një vendim shkatërrues. Duke djegur fletëvotimet ju nuk duhet të aktroni Neronin e shekullit njëzetenjë”, deklaroi Gjonçaj.
Përkundër këtij qëndrimi të përfaqësuesve opozitarë, kreu i KQZ’së kërkoi referenca ligjore, në mënyrë që edhe diskutimi në mbledhje të mund të përmbante edhe argumentimin opozitar brenda kërkesave të Kodit Zgjedhor.
Votimi
Pas diskutimeve dhe deklaratave të shumta, KQZ filloi me procesin e votimit. Me 4 vota pro të katër komisionerëve të pranishëm u miratua vendimi për asgjësimin e fletëvotimeve dhe të kundërfletëve të votimit që janë përdorur në zgjedhjet e 28 qershorit, pastaj për seleksionimin dhe administrimin e materialit të parashikuar që t’i dërgohet Arkivit Qendror të Shtetit, por edhe për seleksionimin e materialit që mund të përdoren sërish.
Në këtë kuptim, KQZ miratoi edhe tabelat referuese, të cilat përmbajnë logjistikën e domosdoshme dhe buxhetin e nevojshëm për zgjidhjen e fatit të fletëvotimeve të shumëpërfolura të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Reagon PS
Kreu i grupit kuvendor të PS, Gramoz Ruçi, ka theksuar se vendimi i KQZ nuk do të mundë të varrosë të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
“E vërteta për zgjedhjet e vitit 2009 nuk mund të ikë dhe nuk mund të varroset. Ditën e varrimit të djegies së procesit zgjedhor Berisha na ftoi edhe ne, opozitën. Por, tani të gjithë e morën vesh se ku fle lepuri. Ne do jemi çdo ditë në protestë për votën e lirë”, theksoi Ruçi të hënën në një konferencë për shtyp. Sipas tij, vendimi ishte parapërgatitur nga Berisha dhe ai nuk ishte i habitshëm për PS’në.
“Vendimi për djegien e fletëvotimeve nuk ishte i papritur, por një skemë e ideuar nga dirigjenti Berisha dhe nga shërbyesi i verbër Ristani, që në kundërshtim me ligjin e bëri realitet implementimin e regjisë. Ristani realizoi skenarin që e kishte hartuar regjisori. Por, materiali që përmbajnë kutitë nuk mund të varroset dot, e ne do vazhdojmë të jemi çdo ditë në protestë për votën e lirë”, theksoi Ruçi.