E Diel, 1 Nëntor 2026

Lama: Vazhdmisht ftesa për t’iu bashkuar subjekteve tjera politike

Deputetja e pavarur Alma Lama, në një bisedë për Indeksonline ka bërë me dije se që kur është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar ftesa të ndryshme për t’iu bashkuar subjekteve tjera politike.

“Nuk ka ndonjë ndryshim. Të tjerët më bëjnë ftesa, mirëpo nuk do të flasë për dëshirën e subjekteve tjera. Nuk jam ulur për të biseduar me askënd. Janë kolegët ata që vazhdimisht më bëjnë ftesa”, ka theksuar Lama për Indeksonline.

Ish deputetja e Vetëvendosjes pat shfaqur haptazi mospajtime rreth koncepteve të kësaj lëvizeje sa i përket shamive dhe mësimit mbi fe nëpër shkolla, me ç’rast edhe u pat larguar nga VV.

E pyetur nëse pas deklakaratave rreth islamizmit në Kosovë, ndjehet më e dobësuar para elektoratit, Lama shpreh besimin e saj se nuk ka humbur votuesit, dhe se vazhdon të ketë mbështetje të fuqishme.

“Absolutisht nuk mendoj që kam humbur votuesit. Kam mbrojtur çështje me rëndësi, çështjen e identitetit kombëtar. Kam mbështetje të fuqishme të shumë njerëzve dhe personaliteteve të ndryshme, të figurave të ndryshme me rëndësi përveq votuesve”, ka vlerësuar Lama. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›