E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: KQZ të organizojë zgjedhjet në pajtim me Kushtetutën

(E plotësuar) - Edhe Partia Demokratike e Kosovës shpreh bindjen se kredibiliteti i këtyre zgjedhjeve historike varet nga pjesëmarrja e të gjitha subjekteve politike dhe e komuniteteve kudo në Kosovë.

Përmes një kumtese të lëshuar për media Partia Demokratike e Kosovës inkurajon anëtaret e KQZ-së që të ndërmarrin aktivitete zgjedhore, të cilat janë në përputhje me standarde ndërkombëtare, me qëllim për të arritur një rezultat demokratik dhe gjithëpërfshirës.

Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të votojnë në një proces të drejtë, dhe hartimi i këtyre dokumenteve hap rrugën për zgjedhje gjithëpërfshirëse, që plotësojnë nevojat e të gjitha komuniteteve dhe janë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Duke pasur parasysh ecurinë e procesit nga regjistrimi drejt fushatës e gjerë tek hedhja dhe numërimi i fletëvotimeve, ne do t’i bashkojmë përpjekjet tona me ato të KQZ-së, për të siguruar që Kosova të zhvillojë zgjedhje sa më gjithëpërfshirëse që është e mundur.

Ne shprehim bindjen tonë që këto zgjedhje duhet te jenë zgjedhje të drejta, të lira, transparente, në përputhje me ligjet e Kosovës, ku të gjithë qytetarët e Kosovës do të ndihen të përfaqësuar si dhe ku rezultatet përfundimtare të jenë të pranueshme për të gjithë, thuhet në kumtesën e PDK-së.

----

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një deklarate ka inkurajuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që në përputhje me mandatin e tij, të gjejnë një zgjidhje ligjore që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.

Këto zgjedhje komunale kanë një rëndësi të veçantë sepse organizohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht. Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb në komunat veriore të vendit, në zgjedhjet e 3 nëntorit ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e tyre dhe proceset demokratike të Kosovës, thuhet në deklaratë.

Presidentja Jahjaga thekson se këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, andaj inkurajon KQZ-në që të gjejë zgjidhje të cilat do të jenë të përshtatshme për të gjithë qytetarët, që do të sigurojë pjesëmarrjen masive në zgjedhje, përfundon deklarata e lëshuar nga Presidenca e Kosovës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›