Lamallari: Pagat e stafit shëndetësor rriten, punonjësit e Bënçës transferohen në Fier

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi një vizitë inspektuese në ambientet e IEVP Fier, ku u takua me drejtuesit e të gjitha burgjeve të vendit.
Takimi kishte për qëllim diskutimin mbi ecurinë e punës në sistemin penitenciar, garantimin e sigurisë, përmirësimin e kushteve dhe rritjen e standardeve në trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Në fjalën e tij, Lamallari solli lajmin e mirë për punonjësit e sistemit të burgjeve, duke njoftuar se me buxhetin e ri do të kryhet indeksimi i pagave. Përveç kësaj, do të ketë rritje të pagave për personelin shëndetësor.
“Konkretisht, plus 12 000 lekë për mjekët dhe 5 500 lekë në muaj për infermierët. Për vetë natyrën e vështirë të punës së tyre, vëmendja e qeverisë për policinë dhe stafin e burgjeve as ka munguar dhe as do të mungojë”, deklaroi ministri.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe mbyllja e IEVP Bënçë në Tepelenë.
Lamallari e cilësoi këtë si një vendimmarrje të pashmangshme, duke u mbështetur në raportet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, të cilat evidentuan se ky institucion nuk përmbushte kushtet minimale të trajtimit dhe sigurisë.
“Vendimmarrja ishte e fortë, por e drejtë”, theksoi ai, duke shtuar se sistemi i burgjeve duhet të përshtatet me pritshmëritë e një vendi që është ulur në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian.
Ministri siguroi se punonjësve të IEVP Bënçë u është dhënë mundësia të vijojnë shërbimin në burgje të tjera, duke filluar me Fierin, ku transporti falas është i garantuar. Disa prej tyre tashmë e kanë kryer transferimin.
Në vijim, Lamallari prezantoi masterplanin e burgjeve, i cili synon transformimin e sistemit penitenciar dhe përafrimin e tij me standardet e BE-së. “Ne duhet të kemi një sistem të ngjashëm me standardet e BE për trajtimin e të burgosurve”, u shpreh ai, duke përmendur edhe takimin me homologun italian Carlo Nordio, të cilit i kërkoi mbështetje përmes projekteve teknologjike dhe rehabilituese.
/rtsh.al/