Lamallari: Rishikimi i hartës gjyqësore, proces i detyrueshëm ligjor për ta bërë sistemin më funksional

TIRANË, 19 shkurt /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari mori pjesë në tryezën mbi Hartën e Re Gjyqësore në Shqipëri, organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Lamallari e konsideroi këtë takim si një moment të rëndësishëm reflektimi mbi një nga ndërhyrjet më të thella territoriale në sistemin tonë të drejtësisë.
“Tre vite pas zbatimit të saj, tani është koha për të folur me fakte dhe me të dhëna konkrete. Ka rezultate pozitive të qarta në rritjen e produktivitetit dhe uljen e stokut në disa gjykata, por ka edhe sfida serioze, veçanërisht në gjykatat e apelit, që kërkojnë ndërhyrje të guximshme dhe profesionale”, tha Lamallari.
Sipas ministrit të Drejtësisë, disa gjetje kërkojnë ndërhyrje urgjente për adresimin e stokut të rritur të çështjeve, uljen e kohës së gjykimit dhe çuarjen e drejtësisë më pranë qytetarëve.
“Vlen të përmendet se Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykata e Fierit dhe Gjykata Administrative e Lushnjës, për rrethet e Gjirokastrës, Vlorës, Korçës dhe disa zona rurale, nuk mund të lejohet më që rritja e distancave fizike të ketë ndikim në marrjen e shërbimeve gjyqësore”, vijoi ai.
Ministri Lamallari deklaroi se “rishikimi i hartës gjyqësore nuk është një hap pas, por një hap përpara, një proces i domosdoshëm dhe i detyrueshëm ligjor për ta bërë sistemin më funksional, më të balancuar dhe në përputhje me standardet europiane”.
“Do të çojmë përpara Reformën në Drejtësi me vendosmëri dhe transparencë për ta përmirësuar aty ku duhet, me qëllimin final që shqiptarët të kenë më në fund drejtësi me standarde të panegocieshme demokratike. Ne kemi besimin e qytetarëve dhe përgjegjësinë karshi tyre t’u garantojmë drejtësi më të shpejtë, më cilësore dhe më të aksesueshme”, përfundoi Lamallari.
/e.i/j.p/