E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari dhe Hita falënderojnë 300 efektivët që luftuan me flakët në Krujë: Respekt për guximin dhe profesionalizmin

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita shprehën mirënjohjen për rreth 300 punonjësit e Policisë së Shtetit, zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura, të angazhuar në operacionin për përballimin e zjarrit në Krujë.

Në fjalën e tij drejtuar forcave të angazhuara në operacion, Lamallari vlerësoi punën e tyre në evakuimin e banorëve dhe përballimin e situatës së krijuar nga zjarri, i favorizuar nga era e fortë.

“Ju bëtë të mundur evakuimin e banorëve në kushte tensioni dhe në garë me kohën, duke qëndruar me guxim, profesionalizëm dhe mirësi deri në fund”, u shpreh Lamallari.

Ministri Lamallari tha se, për përballimin e situatës, u angazhuan forcat speciale dhe të ndërhyrjes së shpejtë, autobotet dhe makinat ujëhedhëse të Policisë së Shtetit, krahas kapaciteteve të tjera të emergjencave.

Ai vlerësoi veçanërisht mënyrën se si efektivët e Policisë komunikuan me banorët që refuzonin të largoheshin nga banesat, për shkak të frikës për ruajtjen e pronave të tyre.

Lamallari theksoi se operacioni tregoi rëndësinë e profesionalizmit dhe empatisë së strukturave të sigurisë në situata kritike.

“Ju gjithmonë meritoni respekt, meritoni mbështetjen maksimale jo vetëm të ministrisë së Brendshme, të Qeverisë Shqiptare, por mbi të gjitha të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Në fjalën e tij, drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita vlerësoi angazhimin e strukturave në përballimin e zjarrit, duke theksuar se operacioni u zhvillua në kushte të vështira terreni dhe moti.

Hita tha se, pavarësisht përmasave të situatës dhe afërsisë së flakëve me qytetin, operacioni përfundoi pa humbje jete dhe pa djegie banesash apo përhapje të zjarrit në zonat e qytetit.

“Vendosmëria, përkushtimi, guximi juaj bëri të mundur që gjatë këtij operacioni të mos kishim asnjë humbje jete dhe asnjë djegie banese apo përfshirje të zjarrit në zonat e qytetit”, u shpreh Hita.

Ai falënderoi të gjitha strukturat e angazhuara, përfshirë zjarrfikësit dhe Emergjencat Civile, duke theksuar se zjarri u vu nën kontroll falë bashkëpunimit dhe angazhimit të tyre.

Operacioni në Krujë vijon me monitorimin e situatës dhe marrjen e masave për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›